Murlani ka marrë fitoren e parë me shumë vlerë në javën e pestë të kampionatit të Kategorisë së Dytë ndaj Adës së Velipojës. Në ndeshjen e luajtur pasditën e djeshme në fushën sportive të Barbullushit, ekipi i drejtuar nga trajneri Vahedin Pepaj ka fituar me rezultatin 2-1.

Sfida ka qenë shumë e fortë dhe të dy ekipet kanë tentuar t’i marrin fitoren njëri-tjetrit. Megjithatë, të parët kanë kaluar në avantazh miqtë nga Velipoja, të cilët kanë shënuar me anë të ish-futbollistit të Murlanit, Rigers Xhahysa, që në sekondat e para të ndeshjes, teksa goditja e tij ka mposhtur portierin vendas, Çaku, duke përfunduar në rrjetë.

Pas pak minutash, Murlani barazon ndeshjen në 1-1, me autor futbollistin brazilian Noronha, në minutën e 31-të. Në vazhdim, ekipi i drejtuar nga trajneri Vahedin Pepaj u mundua të shënonte edhe ndonjë gol tjetër, por me rezultatin e barabartë, 1-1, do të mbyllej pjesa e parë.

Më pas, në pjesën e dytë, pas shumë përpjekjeve të vendasve, ata ia kanë dalë të shënojnë golin e avantazhit dhe të fitores, me autor Lekajn nga penalltia, në minutën e 83-të.

Në këtë mënyrë, gjithçka u mbyll me fitoren 2-1 të Murlanit, që me këtë sukses merr trepikëshin e parë në këtë kampionat. Pas kësaj fitoreje, Murlani ndodhet në vendin e tetë në tabelën e renditjes, ndërsa Ada mbyll klasifikimin e fundit me zero pikë. /Maringlen ZHIVANI/

Murlani-Ada 2-1

Golat: Noronha 32’, Lekaj (pen) 83’ / Xhahysa 2’

Murlani: Çaku, Temja, Hila, Lani, Ramja, Djepaxhia, Shpuza, Lekaj, Keshtejaku, Noronha, Trianoski (u aktivizuan: Nuhi, Usamah, Oliveira) Tr: Vahedin Pepaj

Ada: Ndoj, Sekja, Curri, Kolaj, Pjetri, Pali, Kaçubela, Xhahysa, Frroku, Asllani, Laçeja (u aktivizuan: Hurmi, Frani, Qeleshi) Tr: Altin Xhahysa