Kategoria e Dytë do të zhvillojë ditën e sotme në orën 15:00, javën e fundit të saj. Kështu, Murlani, që përfaqëson Bashkinë Vau-Dejës, do të ketë një përballje të vështirë në transfertë ndaj Shënkollit, teksa kemi të bëjmë me një derbi verior.

Në fakt padyshim që, Murlani do të kërkojë fitoren për të mos iu shkëputur vendeve të play-offit. Ekipi që drejtohet nga trajneri Altin Xhahysa, vetëm në këtë mënyrë mund të qëndrojë në zonën e play-off, për të kërkuar ndoshta më pas ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Në fakt, trajneri Xhahysa ka meritën, që vetëm me një vit formim të këtij klubi, arriti ta kualifikojë nga Kategoria e Tretë, në të Dytën. Edhe pse, sivjet ishte debutues, Murlani kishte objektiva të qarta, që gradualisht të avancojë, jo vetëm në të Parën, por më pas në një të ardhme të shpejtë shikon edhe më lart, mbërritjen në Superiore.

Megjithatë, ata ditën e sotme përballë kanë një skuadër si Shënkolli, që realisht vitet e fundit ka qenë një skuadër ambicioze e Kategorisë së Parë, aq më tepër që furnizohet nga një akademi futbolli brenda familjes, me element shumë cilësor.

Kjo ndeshje pritet të jetë një sfidë e fortë, edhe pse Shënkolli do të jetë pa asnjë objektiv.Ndeshja Shënkolli-Murlani do të luhet ditën e sotme në Shënkoll, duke nisur nga ora 15:00.
Maringlen ZHIVANI