Ditën e sotme, përveç ndeshjes së Vllaznisë, do të luhet edhe një tjetër sfidë tepër e rëndësishme për ekipet e qarkut të Shkodrës, pikërisht për Veleçikun e Koplikut.

Ata do të luajnë një kryendeshje me vendin e parë, Luzin, teksa do të ndeshen për kreun. Luzi vjen në këtë përballje si kryesues dhe është dy pikë para Veleçikut.

Kjo është sfida e fundit për koplikasit në këtë sezon për kampionatin e Kategorisë së Dytë, teksa gjithçka ditën e sotme shkon drejt fundit. Megjithatë, futbollistët koplikas, përveç ndeshjes së tyre, do ta kenë mendjen edhe tek sfida tjetër e Orikut, teksa nëse Veleçiku do të fitojë ndaj Luzit, atëherë ngjitja në Kategorinë e Parë, do të diskutohet me Orikun për çështje golavarazhi.

Në prag të kësaj ndeshje, koplikasit duan me patjetër fitoren, në mënyrë që ta mbyllin si duhet kampionatin, me arritjen e synimit për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë dhe për këtë arsye, ata i kanë vendosur vetes detyrë të fitojnë me një rezultat sa më të thellë që të jetë e mundur, pavarësisht se do të ndeshen me Luzin e vendit të parë të renditjes.

Në fakt, Veleçiku e meriton ngjitjen në Kategorinë e Parë, sepse djemtë e drejtuar nga trajneri Haris Lika, kanë bërë një sezon shumë të mirë. Diçka tjetër që duhet thënë është edhe se sportdashësit e Malësisë së Madhe, i kanë mbështetur fuqimisht ato.

E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë herë në ballafaqimin e fundit në Koplik. Veleçiku është shumë pranë arritjes së objektivit për të qenë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, megjithatë padyshim që mbetet për t’u parë deri në fund, teksa vëmendja do të jetë edhe nga ndeshja e Orikut, ç’ka do të përcaktojë shumë për ngjitjen e njërit prej ekipeve në Kategorinë e Parë.
Maringlen ZHIVANI