Vllaznia bëhet gati për të festuar 100 vjetorin e krijimit të saj dhe në këtë shekull sport, kuptohet që nuk kanë munguar sukseset, trofetë, gëzimet, por edhe hidhërimet.

Historia e Vllaznisë në këto 100 vite është shkruar tashmë dhe kuptohet që nuk mund të lihen mënjanë edhe gazetarët sportivë, ata që janë përkujdesur për të na e përçuar ne këtë histori të suksesshme deri në ditët tona.

Një ndër ta është Namik Mehmeti. “I harruar” ndoshta vitet e fundit ngaqë jeton me familjen e tij në Itali, por kurrsesi nuk mund të harrohet dhe anashkalohet kontributi i tij mbi 50 vjeçar në gazetarinë sportive.

I lindur më 18 Maj 1941, Namiku do ta fillonte detyrën e gazetarit Sportiv që nga viti 1961 me një kontribut të vlerësuar për pasqyrimin e sportit shkodran e të Vllaznisë, jo vetëm përsa i përket futbollit por për të gjithë sportet, nga atletika deri tek alpinizmi.

Ka evidentuar në vitet e demokracisë të gjitha figurat sportive që ishin lënë në harresë nga rregjimi komunist duke e bërë të njohur kontributin e tyre që nga themelimi i Vllaznisë.

Ka krijuar me koleget e tij në Shkodër shoqatën publicistike “Anton Mazreku”.

Ka qene kryeredaktor i të parës gazete sportive lokale në Shqipëri, “Vllaznimi Sportiv”, e krijuar në vitin 1991.

Namik Mehmeti është anëtar i AIPS (Shoqata Ndërkombëtare e gazetarëve sportivë) që nga viti 1995.

Eshtë dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë z. Sali Berisha me medaljen “Naim Frashëri” të klasit III.

Është vlerësuar me çmimin kombëtar për gazetari “Anton Mazreku”.

Vazhdon të bashkëpunojë me revistën “Futbolli Shqiptar” e kuruar nga Besnik Dizdari.

Është anëtar i kryesisë së gazetarëve sportive shqiptarë.

Namik Mehmeti padyshim që ka lënë gjurmë me penën e tij, me shkrimet e shumta në shtypin sportiv dhe padyshim që në këtë 100 vjetor të Vllaznisë, ndoshta meriton të vlerësohet edhe ai sepse për gjysmën e kësaj periudhe, “i ka bërë jehonë” sukseseve të ekipeve të saj.
Gjergj KOLA