Ish-trajneri i Shqipërisë Gianni De Biasi u shfaq i habitur me aktivizimin e pakët që po merr këto ndeshje mbrojtësi kuqezi i Napolit Elseid Hysaj.

Në një intervistë për “Radio Goal” në Itali, ish-tekniku i Shqipërisë në vitet 2011-2017 zbuloi se në kohën kur trajner i Napolit ishte Maurizio Sarri, Hysaj nuk bënte thuajse fare pushim, gjë që e nervozonte shumë 62-vjeçarin pasi donte ta ruante në formë 24-vjeçarin për ndeshjet me Shqipërinë.

“Është e çuditshme të shohësh minutazhin e pakët që po luan Hysaj tani te Napoli. Ai luante çdo minutë në kohën kur Maurizio Sarri ishte trajner i tij dhe nuk aktivizohej kaq pak Nuk është ndihmuar në këtë aspekt. Vitet e kaluara, dëshiroja që të luante më pak për të qenë i freskët për Shqipërinë”, u shpreh De Biasi.

Mbrojtës i djathtë u kërkua sërish në merkaton e janarit nga Chelsea, ndërkohë që muajt e fundit pati interesime dhe nga Interi e PSG-ja. Me fillimin e 2019, Hysaj ka grumbulluar shumë pak minuta lojë duke mos qenë më titullar me fanelën e kaltër.

Paraqitjet në rënies këtë sezon dhe kritikat e ashpra nga tifozët e detyruan teknikun veteran Carlo Ancelotti ta kalojë në plan të dytë lojtarin./newsport/