32 vite, 4 muaj e 22 ditë më vonë është sërish Napoli-Juventus 5-1. Më shumë se tri dekada dhe një numër i papërcaktuar epokash në terma thjesht futbollistikë. Napolitanët kthehen për të jetuar një mbrëmje ëndrrash dhe e bëjnë këtë falë një fitoreje të jashtëzakonshme në lëndinën e një stadiumi që sot mban emrin e atij që ishte në fushë më 1 shtator 1990 si lojtar: Diego Armando Maradona.
Në atë që atëherë ishte “San Paolo” u luajt sfida që dhuroi një trofe të lindur së fundmi: Superkupën e Italisë. Pas suksesit të Milanit në vitin 1988 (kundër Sampdorias) dhe atij të Interit më 1989 (përsëri kundër Sampdorias), pretendentët për të ishin kampionët e Italisë, Napoli, dhe Juventusi, mbajtës i Kupës së Italisë.
Ato që dolën në fushë ishin dy skuadra shumë të ndryshme, duke qenë se napolitanët rifilluan nga siguritë e një viti më parë (goditja më e rëndësishme në treg ishte Silenzi, që do të zëvendësonte Carnevale), ndërsa bardhezinjtë, që kishin qenë protagonistët absolutë në merkaton e verës, u paraqitën në takim me formacion totalisht të rinovuar.
Kursi i ri nga Montezemolo e kishte sjellë Gigi Maifredi në pankinën e Juventusit (i cili me ‘futbollin e tij shampanjë’ shihej si më novatori nga trajnerët italianë në zhvillim) në vend të Dino Zoffit (i cili gjithashtu sapo ishte kthyer nga një vit në të cilin kishte fituar Kupën e Italisë dhe Kupën UEFA), dhe shumë fytyra të reja në fushën e blertë. Roberto Baggio mbi të gjitha.
Vetëm “10” i ri bardhezi shkoi për të formuar një çift sulmues me Schillaci nga ‘Netët Magjike’, por në atë mbrëmje të ngrohtë shtatori, ëndrrat bardhezi u kthyen në ankthet më të këqija.
Në fakt nuk pati ndeshje dhe mjaftoi një herë që Napoli i Bigonit ta mbyllte çështjen. Ishte Silenzi (bomberi 7 miliardë lirash, i aktivizuar nga Reggiana), ai që hapi rezultatin në minutën e 8-të, ndërsa në minutën e 11-të ishte Careca që shënoi për 2-0.
Baggio rihapi ndeshjen në minutën e 39-të me një goditje dënimi, por që nga ajo kohë ishte një “solo” për Napolin. Crippa realizoi golin e tretë në minutën e 44-t, ndërsa në minutën e 45-të Silenzi kompletoi dygolëshin personal në debutimin e tij, si dhe golin 4-1.
Për të fiksuar rezultatin në 5-1 mendoi sërish Careca, ai që mbylli përfundimisht ndeshjen në minutën e 71-të. Një mbrëmje e mbetur në historinë e Napolit, në të cilën Maradona ngriti një trofe për herë të fundit me fanellën blu./telesport/