Sot ka ndërruar jetë Mjeshtri i Madh i futbollit shqiptar, Medin Zhega duke pikëlluar të gjithë mjedisin futbolldashës në vendin tonë, por jo vetëm. Simboli i këtij sporti dhe njeriu i mirë Din Zhega, ish-trajneri i kombëtares, ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, ish-futbollisti i shquar i Vllaznisë dhe i përfaqësueses kuqezi, nuk jeton më. Zemra e njërit prej emrave të spikatur të futbollit shqiptar, i lindur në vitin 1946 në Shkodër, në vitet 60-70 një prej lojtarëve më të njohur të Vllaznisë e më pas të Dinamos, ka pushuar së rrahuri në QSUT, ku gjendej i shtruar dhe në gjendje të vështirë shëndetësore prej një viti. Zhega luajti edhe në ekipin kombëtar, duke qenë një prej sulmuesve më të njohur. Në vitet 90’ ai nisi karrierën si zyrtar dhe si trajner, ndërsa për pak kohë ishte edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në vitin 2000, Zhega mori drejtimin e kombëtares, të cilën e drejtoi për edicionin e eliminatoreve të Botërorit 2002, duke u zëvendësuar më pas nga Sulejman Demollari. Aksidenti që pësoi në Kanada, tek të afërmit e tij, teksa rrëshqiti aksidentalisht në banjo dhe përplasi kokën në pjesën e prapme të saj, ç’ka i shkaktoi këputjen e rruazës së fundit të pjesës së qafës, ndërkohë që mjekët kanadezë bënë cmos për ta rikuperuar, por ishte e pamundur. Më pas u zhvendos në Spitalin Nr.5 në Tiranë, ku u mbajt nën kujdesin e profesorit neuro-kirurg Mentor Petrela, i cili po ashtu eksploroi të gjitha rrugët për një riaftësim të mundshëm të Zhegës. Dicka e pamundur, e shoqëruar me vuajtje të ish-trajnerit të kombëtares, i cili mbylli sytë përgjitmonë këtë të martë.
Medin Zhega ka lindur në Shkodër më 31 janar 1946.  Shkollën e mesme e ka kryer në qytetin e lindjes, studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega “Kimi-Mercologji”. Ka kryer studimet e larta edhe në Intitutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” (sot Akademia e Sporteve). Në periudhën 1963–1979, ka luajtur futboll me ekipet e Vllaznisë dhe Dinamos, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të vendit, i shquar si golashënues në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1965 e në vazhdim ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Në vitin 1981 mbaron shkollën e trajnerëve në Austri. Ka kryer gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit. Në vitet 1984-1986 ka punuar si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1999-2001 ka qenë trajner i ekipit kombëtar të Shqipërisë. Nën drejtimin e Mjeshtrit Zhega, skuadra jonë kombëtare, në vitin 2001, fitoi turneun “Rothmans” në Maltë. Pasi shkarkohet nga detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, post që e mbajti deri në vitin 2001, ai emërohet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Përsëri, këtë post e mban deri në vitin 2010. Ka fituar titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në vitin 2009, për nder të 90-të vjetorit të themelimit të klubit shumësportesh “Vllaznia”, ai u nderua me titullin “Krenaria e Qytetit” i Shkodrës. Më 5 maj 2011, gjatë një udhëtimi familjar dhe qëndrimi në Toronto të Kanadasë, pësoi aksidentin fatkeq, që e la për më shumë se 1 vit në paralizë të plotë, derisa u nda nga jeta rreth orës 15:00 të 12 qershorit 2012. Gazeta shkodrasport.com, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.