Futbolli në Shqipëri ndalon për shkak të situatës me shpërthimin e koronavirusit dhe pakkush pret që situata të zgjidhet shumë shpejt. Pas lajmërimit të FSHF, klubet ndërprenë menjëherë stërvitjet e tyre për javën e kampionatit që duhej të zhvillohej rregullisht pa tifozë.

Për pjesën më të madhe, skuadrat janë shpërndarë me udhëzimin që të mbeten në kontakt por në shtëpitë e tyre derisa të sqarohet situata.

Megjithatë, duke parashikuar se kjo situatë do të vazhdojë edhe në muajin prill, shumë prej kubeve kanë lënë lojtarët dhe trajnerët e tyre që të udhëtojnë drejt vendlindjeve apo vendeve të tjera ku për momentin lejohen udhëtimet nga Shqipëria.

Kështu, lojtarë apo edhe trajnerë të Superiores kanë postuar foto duke u larguar nga Shqipëria. Ky është rasti i disa prej futbollistëve të Kukësit, të cilët kanë postuar në rrjetet sociale foto të tyre teksa testoheshin duke kalar kufirin drejt Kosovës.

Ndërkohë, trajneri i Flamurtarit, Marcelo Troisi, ka postuar foto teksa kalonte kufirin drejt Greqisë, ku ka jetuar në vitet e fundit. Pritet që eksodi të vazhdojë edhe me futbollistë të tjerë në javët e ardhshme, meqë ka shumë prej tyre që vijnë nga Kosova e Maqedonia, ashtu si edhe me trajnerë si Dovedan e Jonuz. /vipsport/