Ditët e fundit, para dhe pas ndeshjes Vllaznia- Veleçiku, në media por edhe në opinion është diskutuar dhe etiketuar si një ndeshje “derbi”.

Në kampin shkodran nuk kanë dashur shumë të merren me një çështje të tillë dhe e kanë pohuar ose janë munduar ta shmangin këtë pyetje, por në fakt përgjigja më interesante vjen nga kampin koplikas.

Ka qenë trajneri Besnik Duli i cili i pyetur në lidhje me këtë ballafaqim, është shprehur: “Nuk mund ta konsiderojmë si “derbi” një ndeshje të tillë sepse nuk kemi asgjë të përbashkët me Vllazninë.

Ajo ka 100 vjet histori dhe vërtetë ndodhet aktualisht në një kategori me ne, por ndodhet aksidentalisht dhe në fund të sezonit do jetë sërish në mes ekipeve më të mira të futbollit shqiptar.

Veleçiku nga ana e tij ka një histori modeste në futbollin shqiptar, me uljet dhe ngritjet e tij dhe aktualisht po mundohemi të ngjitemi ndonëse është shumë e vështirë.

Po punojmë mirë dhe në çdo ballafaqim, edhe ato që kemi humbur, kemi luajtur shumë mirë duke u treguar dinjitoz në fushë.

Edhe ndaj Vllaznisë fatin e ndeshjes e vendosi një episod, por e përsëris, objektivi i Veleçikut është qëndrimi në kategorinë e parë”.
© shkodrasport.com