Ditën e djeshme është grumbulluar kombëtarja e futbollit të femrave për një stërvitje katërditore dhe trajneri Sinani kërkon të shohë gjendjen e vajzave përpara nisjes së ndeshjeve zyrtare.

Ajo që të bie në sy në listën prej 18 futbollistesh të grumbulluara këtë herë, 10 prej tyre i përkasin ekipeve shkodrane, pikërisht Vllaznisë dhe Juban Danjes.

Gati gjysma e ekipit i takon ekipit të Vllaznisë i cili po dominon në futbollin shqiptar prej vitesh. Pjesë e kombëtares do të jenë portieria Ardiola Raxhimi dhe katër mbrojtëset Arbiona Bajraktari, Ajdena Mustafa, Luçie Gjini dhe Sara Maliqi.

Po ashtu edhe mesfushorja Esmeralda Franja si dhe dy sulmueset Megi Doçi e Marsela Djegsina. Pra, nga ekipi kuqeblu që vetëm pak ditë më parë fitoi Kupën e Shqipërisë, janë grumbulluar plot 8 futbolliste.

Ndërkohë, janë grumbulluar edhe dy futbollistet e spikatura të “Juban Danja”, mesfushorja Paula Jaku dhe sulmuesja Klaudia Rrotani.

Fakti që 10 nga 18 lojtaret e grumbulluara nga trajneri Sinani i takojnë ekipeve shkodrane, tregon më së miri se ato vazhdojnë të jenë baza më e rëndësishme e kombëtares kuqezi.
© shkodrasport.com