Vllaznia ka marrë pushimet fill pas “Klasikes” me Tiranën. Në fakt, duhet theksuar se trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij, me miratimin e klubit, u kanë dhënë futbollistëve pushim për një javë, teksa do të rikthehen në fushën e stërvitjes ditën e hënë në Shkodër.

Trajneri Josa dhe presidenti Alban Xhaferi vendosën që ta bëjnë një gjë të tillë për të lehtësuar futbollistët psikologjikisht dhe fizikisht. Sa i takon dëmtimeve, situata më delikate është ajo e Liridon Latifit, me këtë të fundit, që nuk ka luajtur asnjë minutë me kuqeblutë që në ndeshjen e javës së dytë ndaj Kukësit, kur edhe u dëmtua.

Gjithsesi, pushimet përpara kohe të dimrit kanë bërë që shkodranët sapo të grumbullohen, të përcaktojnë edhe një program enkas, duke zhvilluar një fazë të plotë përgatitore në Ulqin.

Madje, klubi pritet që të planifikojë edhe ndeshje miqësore me skuadra të tjera të vendit fqinj, teksa skuadra do të vijojë që të jetë e grumbulluar në Ulqin. Ndërkohë, edhe futbollistët e huaj janë larguar për në shtetet e tyre në ditët e para të kësaj jave.

Ndërprerja e detyruar e garës në këtë moment për Vllazninë do të shërbejë tashmë edhe për të vendosur “piketat” e merkatos, pasi përforcimet janë të domosdoshme, për më tepër që takimet e mbetura do të jenë si finale për Vllazninë, që do të kërkojë titullin kampion.
Maringlen ZHIVANI