Vllaznia-Flamurtari është një nga duelet që ka bërë historinë e futbollit tonë. Dueli do rikthehet sërish nesër në Shkodër. Ky takim në kuadrin e ndeshjes së dytë çerekfinale për kupën e Shqipërisë.

Ndeshja duket sikur e ka humbur prestigjin e atyre viteve të shkuara, kjo edhe për vetë situatën ku ndodhen vlonjatët që po përpiqen të ringrihen në lartësinë e emrit dhe historisë të së shkuarës.

Vlonjatët që po militojnë në kategoritë inferiore prej dy sezonesh, rikthehen në Shkodër pas thuajse dy vitesh. Për herë të fundit luhej në sezonin 2019-20, në javën e 36-të të kampionatit.

Një takim që vlente thjesht për statistikë pasi Flamurtari ishte matematikisht i rënë nga Superliga e Vllaznia në vendin e 8-të, do luante ndeshjen e Play-Out kundër Besëlidhjes.

Megjithatë ndeshja e fundit në “Loro Boriçi” midis dy skuadrave ka përfunduar në shifrar 1-1. Një takim ku Vllaznia kalonte në avantazh me sulmuesin Sidorenco. Goli i të cilit do barazohej nga Diamanti, i cili pritet edhe nesër në fushën e lojës kundër kuqebluve.

Ky është edhe takimi i fundit i zhvilluar mes dy skuadrave në Shkodër. Patjetër nesër pritet një histori tjetër në përballjen e rradhës mes dy shkollave të futbollit në vendin tonë.

Endri ÇINARI