Vllaznia do luajë nesër në orën 17:45 përballë Kastriotit në ndeshjen e javës së 27-të të kampionatit. Duel që do zhvillohet në “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe që pritet shumë i luftuar mes të dy skuadrave. Patjetër një ndjenjë të veçantë do prodhojë edhe për Elvis Plorin, i cili tashmë si trajner i Vllaznisë do jetë kundër ish-skuadrës së tij, Kastriotit.

Megjithatë nostalgjitë nuk do ekzistojnë të paktën për 90 minuta, pasi Vllaznia tashmë është e “uritur” për pikë në kampionat. Dy humbjet e fundit në Superligë përballë Tiranës dhe Egnatias e bëjnë të detyrueshëm sukesin për shkodranët e sidomos përpara syve të tifozerisë kuqeblu në shkallët e “Loro Boriçit.”

E pikërisht kjo ndeshje do jetë një debutim për Plorin në shtëpi me ekipin e Vllaznisë. Trajneri që u vu në krye të pankinës pas largimit të Brdariç, do ketë ndeshjen e tij të tretë në stol. S para ishte në transfertën e Rrogozhinës në kampionat përballë Egnatias, ku Vllaznia humbi në shifrat 3-0.

Ndërsa sfida e dytë ishte sërish në transfertë kundër Partizanit në “Elbasan Arena”, në kuadër të ndeshjes së parë gjysmëfinale të kupës ku ndeshja përfundoi 0-0.

Tashmë “e treta, e vërteta” për Plorin që do jetë nën syrin e tifozëve shkodranë dhe ku përballë tyre dhe pozitave ku ndodhet skuadra në këto momente ka vetëm një objektiv, fitoren kundër Kastriotit ditën e nesërme.
Endri ÇINARI