Dritan Resuli kërkon një paraqitje dinjitoze sot në Shkodër. Dje në mesditë Flamurtari mbylli përgatitjet në stadium dhe udhëtoi pasdreke drejt Shkodrës, në pritje të ndeshjes së sotme. Për “Panorama Sport”, trajneri Resuli deklaroi se ekipi i tij do të luajë pa presion përballë Vllaznisë.

“Ne i kemi bërë përgatitjet tona, por nuk është prioritet Kupa për ekipin tonë. Megjithatë, do të shkojmë në Shkodër që të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze.

Duke iu referuar edhe ndeshjes së parë në Kupë që e luajtëm në Vlorë, ne kemi marrë masat dhe kemi përmirësuar edhe disa situata që na ndodhën për çështje disekuilibri në ndeshjen e parë, kështu që do të futemi në fushë të paraqitemi denjësisht siç i ka hije Flamurtarit.

Nuk është ndeshje me presion për ne, por na ndihmon shumë për ndryshimin e ritmit, pasi në këtë kategori që luajmë kemi vështirësi të tjera dhe të terrenit. Me Vllazninë është një ndeshje që përveç kënaqësisë dhe adrenalinës që të jep kundërshtari nuk ka asgjë tjetër negative. Pra është një ndeshje në nivelin tonë, me këtë grup lojtarësh që ne kemi”, shprehet fillimisht Resuli.

PËRMBYSJA – Kupa e Shqipërisë nuk është objektiv për Flamurtarin, por shanset e përmbysjes nuk vihen në diskutim nga vlonjatët. “Zhvillimi i 90 minutave është me episode dhe varet me momente pozitive nëse ne reagojmë dhe nëse shfrytëzojmë rastet dhe na dalin për mirë, pse jo, edhe mund të kualifikohemi. Patjetër që kemi shanset tona edhe për ta përmbysur rezultatin. Na mbetet si detyrë që të bëjmë paraqitjen dhe ta kalojmë këtë ndeshje.

Por nuk është një ndeshje që të jemi në presion e të themi do të shkojmë në katër ekipet më të mira. Por thjesht ne duam që të bëjmë një paraqitje dinjitoze. E theksoj që nuk e kemi objektiv Kupën e Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë që e shohim me nënvlerësim. Përkundrazi, ne do të bëjmë gjithçka për një paraqitje sa më te mirë dhe të tregojmë vlerat që kemi. Kam lojtarë me eksperiencë në ekip dhe i kemi të gjitha mundësitë edhe për të përmbysur rezultatin e të kualifikohemi”, u shpreh trajneri.

SURPRIZA – Është hera e parë që një skuadër e Kategorisë së Dytë shkon kaq larg në Kupën e Shqipërisë. Por, trajneri Resuli thotë se nuk surprizohet, pasi dihet kush është Flamurtari, ndërsa vlerëson edhe elementët në skuadër. “Është hera e parë, por nuk është rastësi që është Flamurtari.

Besoj për historinë që kemi dhe për grupin e lojtarëve, nuk është surprizë. E dimë që Flamurtari i ka potencialet dhe në çdolloj situate është ballafaquar me kundërshtarin në mënyrë të barabartë. Në asnjë ndeshje nuk kemi shfaqur shenja inferioriteti kundrejt kundërshtarit”, përfundon Resuli.