Kukësi fitoi me shifrat 2-1 supersfidën e javës së pestë përballë Tiranës, takim i luajtur në “Elbasan Arena”.
Pjesa e parë nisi menjëherë me disa tentativa të vendasve drejt portës së Bakajt, por goli i avantazhit erdhi që në minutën e 17-të. Abazaj përfitoi pas një sparkate të Osmanit, dhe doli i vetëm me Bakajn duke tundur rrjetën.
Ekipi i Memës provoi të reagonte, por Kobina u ndal nga Xhika. Në krahun tjetër, rast pati edhe Shkurtaj, por Bakaj u tregua në krye të detyrës. Me kokë kishte sërish shans Kobina, por Xhika sërish tregoi pse ishte titullar sot.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 1-0, ndërsa vetëm 3 minuta pasi nisi e dyta, ishte Shkurtaj që me kokë, shënoi pas një asistimi mjaft të bukur nga Gavazaj. Ekipi i Duros në një avantazh të dyfishtë, administronte lojën, ndërsa provonte Tirana. Pas shumë tentativash, goli i parë për Tiranën erdhi vetëm në minutën e 83-të.
Ngo kaloi mjaft bukur dy mbrotjës nga e majta, dhe pasoi për Kobina i cili me rrjetën e boshatisur nuk e kishte të vështirë ta çonte topin në portë. Deri në fund ekipi i Memës kërkoi me ngulm golin e barazimit, por mbrojtja verilindore rezistoi.
Kështu, Kukësi fitoi 2-1 ndaj Tiranës, duke i shkaktuar bardhebluve humbjen e parë në këtë kampionat.
FT | Kukësi-Tirana 2-1
GOLAT: Abazaj 17′, Shkurtaj 48′ / Kobina 83′