I ftuar në emisionin “Kubi Sportiv” në Euronews Albania, kryeredaktori i “Sport Ekspres”, Klaudio Ndreca, analizoi fitoren e radhës së Vllaznisë dhe momentin pozitiv që po kalon skuadra shkodrane në Superiore. Sipas tij, ekipi i drejtuar nga Edi Martini po tregon vazhdimësi, pjekuri dhe cilësi që e bëjnë një nga kandidatët kryesorë për titullin kampion.
Ndreca u ndal te ndikimi vendimtar i Sherif Kallakut, duke theksuar se fitorja ndaj Vorës ishte shembull i qartë i forcës së këtij ekipi edhe në ndeshje të vështira.
“Ishte një nga ato ndeshje që zgjidhen vetëm nga cilësitë individuale dhe Kallaku e bëri këtë me një gol fantastik nga distanca. Vllaznia tregoi se ka lojtarë me cilësi për të fituar titullin kampion, edhe kur kundërshtari ta vështirëson maksimalisht ndeshjen,” u shpreh ai.
Sipas kryeredaktorit të “Sport Ekspres”, Vllaznia nuk varet më nga një emër i vetëm në fazën ofensive, çka e bën skuadrën më të balancuar.
“Sot Vllaznia nuk varet vetëm nga Bekim Balaj. Kallaku dhe Kastrati po bëjnë diferencën dhe kjo i jep ekipit më shumë harmoni dhe alternativa për të fituar,” shtoi Ndreca, duke vlerësuar modelin e ndërtimit të skuadrës.
Në javën e 23-të të Superiores, Vllaznia arriti një fitore të rëndësishme 1–0 në transfertë ndaj Vorës, me gol të shënuar nga Sherif Kallaku. Përpara nisjes së takimit, trajneri Edi Martini u vlerësua me çmimin “Trajneri i Muajit”. Me këtë sukses, skuadra shkodrane kryeson renditjen me 45 pikë, gjashtë më shumë se Elbasani, që ka një ndeshje më pak, ndërsa Egnatia ndjek me 39 pikë.


