Ramadan Ndreu, ish trajneri i Kastriotit është rikthyer të flas për Abissnet Superiore. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive, tekniku 55-vjeçar ka analizuar ekipet e Superligës duke u shprehur se ish skuadra e tij Kastrioti dhe Egnatia janë dy ekipet më të avantazhuara për të mbijetuar. Ndreu nuk i kurseu elozhet edhe për Xhuliano Skukën, sulmuesi që po spikat te Partizani gjatë ndeshjeve të fundit.

“Tiranës po ia bëjnë të lehtë skuadrat që e ndjekin, sepse nuk kanë atë ecuri të mirë. Ata që po e ndjekin e kanë shumë larg dhe nuk mendoj se do e arrijnë. Për Europën është luftë e hapur, janë shumë skuadra që e pretendojnë”.

“Mendoj se pika më e fortë e Tiranës është sulmi. Mud të krijosh manovra, por nëse nuk ke sulmues, atëherë nuk shkon te goli. Devid? Është një lojtar shumë i mirë, model si njeri. Është një plus i madh për skuadrën, nga java në javë do të rritet dhe do i bëjë shumë punë Tiranës”

“Mbijetesa? Të avantazhuara janë Kastrioti dhe Egnatia. Kastrioti është një skuadër që nuk e ka atë presionin e madh, luan fortë. Dinamo është skuadër që rëndohet shumë nga ana psikologjike. Nëse do themi se kush është më e rrezikuar, unë mendoj se është Dinamo, sepse nuk e përballon dot presionin, po duket nga ndeshja në ndeshje. Gjithsesi, është një luftë e hapur”.

“Ecuria e Teutës? E prisja një ecuri të tillë, sepse ka ndryshuar shumë lojtarë. Dy vitet e fundit ishte një skuadër shumë agresive, meritë e Edi Martinit, që ka bërë një punë shumë të mirë. Një skuadër që i largohet më shumë se 50% e lojtarëve do kohën e vetë, isha i bindur se nuk do të ishte rivale për të dalë kampion. Por përsëri nuk është jashtë objektivave, mund të kapë Europën nëpërmjet Kupës”.

“Skuka? E kam kërkuar me ngulm te Kastrioti, por nuk e morëm dot sepse e kishte vlerën e kartonit shumë të lartë. Është një lojtar i zgjuar, i fortë. Pikërisht Skuka po e kurorëzon me sukses sulmin e Partizanit. Nëse ecën me këto ritme, kam mendimin se pas gjashtë muajsh do shitet.

Partizani është një skuadër që po luan shumë mirë, me manovra të shpejta, po funksionon. Kukësi është në rënie të lirë. Në pjesën e parë të kampionatit funksiononte, ndërsa tani pëson shumë gola, nuk funksionon, sidomos në mbrojtje”.

“Derbi? Besoj se do të jetë një ndeshje e bukur, sepse të dyja skuadrat po zhvillojnë lojëra të mira. Nëse fiton Partizani, atëherë afrohet shumë më Europën, por dhe Tirana ka atë lirinë në lojë, nga ana psikologjike është shumë mirë. Por medoj se presioni është te Tirana”, u shpreh Ndreu.