Qoftë si futbollist apo kapiten, por edhe si drejtor apo tani në rolin e trajnerit të U21, Egnatia ka qenë me fat që ka pasur në radhët e saj një profesionist si Ndriçim Shtubina.

Angazhimet serioze të tij janë materializuar kudo me rezultate konkrete. Ka qenë ideues që në verën e shkuar si drejtor i Egnatias aktuale në Kategorinë Superiore, ku ecuria flet qartë si në kampionat ashtu dhe në Kupë. Madje Shtubina edhe si drejtues i ekipit U-21 po bën mirë, pasi e mori skuadrën kur qëndronte në vendet e fundit dhe tani e ka ngjitur në katërt. Po kështu ka bërë edhe me skuadrën U-19, që ka marrë 7 fitore radhazi.

Dje, në intervistën për “Panorama Sport”, Shtubina foli për ecurinë e Egnatias, pikërisht atë që prek dhe reflekton përditë në punën e tij. Shtubina ka qenë ndër të parët në verën e vitit të kaluar që deklaroi se klubi rrogozhinas do të ketë synim një vend në Europë dhe tashmë besimi i tij për ekipin e ndërtuar po konfirmohet me rezultate.


E treta në kampionat dhe në gjysmëfinale të Kupës. A është Egnatia tani vetëm një hap larg Europës?

Egnatia po ecën shumë mirë. E kam thënë edhe më parë se Egnatia është vetëm një hap larg Europës. Konfirmimin më të qartë të situatës pozitive aktuale e shpreh renditja në kampionat dhe kualifikimi historik për herë të parë në gjysmëfinalen e Kupës. Skuadra pret shortin këtë javë, të njohë edhe kundërshtarin që do të ketë përballë.


Egnatia luan një transfertë delikate këtë javë, ku përveç mungesave ka edhe disa rikthime të rëndësishme në skuadër. Çfarë ndeshjeje prisni në Kukës?

Për çdo skuadër mungesat janë problem, por Egnatia ka shumë lojtarë të mirë. Organika e tanishme me 20 futbollistë ka treguar se të gjithë janë të aftë dhe të denjë për të shpalosur denjësisht vlerat e tyre, qoftë kur futbollistët luajnë si titullarë, ashtu edhe në rolin e zëvendësuesit. Kjo konkurrencë i ka bërë vërtet mirë grupit.