Elseid Hysaj mund të jete pranë firmës përsëri me klubin e Napolit. Ndërsa e ndan pak më shumë se një muaj nga lamtumira zyrtare me klubin napolitan, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare mund të rinovojë kontratën që i përfundon më 30 qershor.

Askush nuk e mendonte një gjë të tillë, sidomos duke marr për bazë deklaratat e menaxherit të tij në muajt e fundit. Situata kishte shtyrë klubet e Lacios, Fiorentinës e Milanit që të bënin hapa para e bisedime konkrete në tentativën për të firmosur me mbrojtësin shqiptar, i cili largohet me parametër zero gjatë verës e kësisoj është një okazion i mirëfilltë për merkaton.

Por sipas “Il Mattino”, gazetë pranë klubit të Napolit, presidenti De Laurentis ka ndryshuar plotësisht qëndrim rreth futbollistit shqiptar dhe tashmë është gati të ulet në tavolinën e bisedimeve për rinovimin. Klubi disa muaj më parë nuk mori në konsideratë kërkesën e Hysajt për rritje rroge në rast rinovimi të marrëveshjes, duke e cilësuar një lojtar që do të përfundonte jashtë projektit.

Megjithatë, ndeshjet e fundit kanë treguar se sa i rëndësishëm është ai për Napolin e tashmë De Laurentis është gati që të pranojë kërkesat e futbollistit për të mos e humbur atë.

Një situatë që ndryshon plotësisht të ardhmen, pasi vetë Hysaj është shprehur se është i lumtur te Napoli dhe tashmë në Itali e shohin rinovimin e tij mëse të mundshëm. /vipsport/