Ish-futbollisti e drejtuesi i Vllaznisë, Armr Grima, mendon se ajo që ka ndodhur në ditët e fundit në klubin kuqeblu është një situatë që nuk i ka shërbyer askujt. Duke analizuar për RTSH situatën e klubit shkodran, ai ka theksuat se trysnia është rritur më kot, pasi Vllanzia vazhdon të jetë brenda objektivave, ndërsa janë lojtarët ata që duhet të mendojnë më shumë për të korrigjuat veten pasi kanë bërë gabime.

“Çdo skuadër i ka oshilacionet e veta. Edhe Laçi i kishte, Partizani e kështu me radhë. Ndoshta ne po i kalojmë tani. Mendoj se pas disa ndeshjeve jo të mira, ashtu si jemi mësuar ta shohim Vllazninë, mendoj se kjo situatë nuk i shërbeu as ekipit, as ambientit, asnjë gjë… Largimi dhe rikthimi, nëse i marrim të mirëqena që janë ashtu, trysnia që po ushtrohet ndaj ekipit edhe me këto veprime, besoj se nuk i shërben atij qëllimi.

Nuk mendoj se mund të ketë pasur specialist të mirëfilltë që para këtij sezoni do të thoshte se Vllaznia është për titull apo do të pretendojë, pavarësisht dëshirës për ta parë Vllazninë sa më lart Por duke parë ndeshjet, pikët, lojën që ka zhvilluar, besoj se ishte e tepërt me trajnerin Brdariç.

Unë gëzoj respekt për të si person, ashtu si edhe për drejtuesit e Vllaznisë, por nuk shërbejnë, këto janë gjëra që nuk i shërbejnë interesit të skuadrës. Jemi brenda objektivave, jo larg, jemi në luftë për të gjitha, Kupë, kampionat, Europën, për çdo gjë.

Të isha në vendin e drejtuesve, ajo që do të bëja do të ishte të zgjasja kontratën e trajnerit, për ta lënë për një plan afatgjatë. Nuk mund të punohet më për Vllazninë me erdha sot dhe duhet rezultat. Edhe po nuk do jemi në Kupat e Europës këtë vit, ke shtruar rrugën për sezonin tjetër për të arritur qëllimet që ke. Jo çdo gjë arrihet me buton, është dëshira, por ajo nuk duhet të na bëjë të mbyllim sytë.

Ne duhet të besojmë te trajneri, te lojtarët. Edhe ata kanë përgjegjësinë e vet, ata duhet të mblidhen dhe të shohin të gjithë pozicionin e tyre kur kanë ardhur te Vllaznia dhe tani.

Unë mendoj se janë edhe disa “llastime” të lojtarëve, gërricje të tyre, jo fjalët ‘erdhi momenti”. Kampion dilet jo me fjalë, por me punë, duke ulur kokën. Të merren me punë, duke punuar siç kanë bërë në fillim të kampionatit, të mos merren me fajtorët por të shohin punën”, tha Grima. /vipsport/