Ardit Deliu është i lum tur për trofeun e parë me Tiranën. Pas ndeshjes së fituar me Vllazninë, pikërisht në “Air Albania” me rezultatin 3-2, mesfushori foli për “Panorama Sport”. Deliu foli për trofeun e Superkupës, ndeshjen e kampionatit që e ka me Kastriotin, por edhe Botërorin që tani është në pjesën finale. Ish-lojtari i Laçit ishte një nga blerjet e fundit të Tiranës këtë verë dhe prej kohësh është titullar.

Në fakt, Deliu vetëm para pak muajsh firmosi për klubin letonez, Liepajën, por më pas prishi kontratën dhe u bashkua me Tiranën.

Deliu në Letoni në “Virsliga” është aktivizuar në tetë takime, ku ka dhënë 1 asist dhe ka luajtur 423 minuta. Edhe në Europë me letonezët nuk është aktivizuar shumë.

Në katër sfida ka qenë në fushë vetëm 2 herë si zëvendësues, duke u aktivizuar vetëm 54 minuta. Për sa i përket 25- vjeçarit, Deliu ka qenë një nga futbollistët kryesorë të ekipit kurbinas gjatë sezonit që lamë pas.

Një fitore e madhe kundër Vllazninë në Superkupë. Për Deliun trofeu i parë në karrierë…

Për mua është trofeu i parë në karrierë. Madje trofeu i parë në karrierë pas finales së humbur vjet me Laçin. Jam shumë i lumtur që e po e nis këtë sezon me fitore dhe shpresoj që deri në fund të vitit të marrim edhe dy fitore të tjera.

Në fillim e nisët keq sezonin, por më pas vendi i parë në renditje dhe tani Superkupa?

Po, që në fillim kam thënë që kësaj skuadre i duhet pak kohë, sepse patën ardhur lojtarë të rinj. Madje edhe momentin e fundit, siç isha edhe unë. Do të duhej pak kohë për t’u përshtatur me mënyrën e lojës se si e kërkonte trajneri, por pas çdo jave e kemi treguar se jemi më të bashkuar dhe më grup.

Ju thatë që Tirana kërkon edhe dy trofe të tjerë, por mund të fitoni titullin kampion?

Titulli kampion është synimi kryesor. Gjithsesi, le t’i marrim gjërat me kujdes dhe ndeshje pas ndeshjeje. Deri në fund ishallah do të dalim kampionë.


Meqë folët për titullin, nisni kampionatin kundër Kastriotit ditën e hënë. Veç fitores nuk ka rezultat tjetër apo jo?

Kastrioti gjithmonë është një skuadër që na ka hapur probleme. Tirana edhe vjet ka pasur probleme. Shpresoj që ta kalojmë dhe fitojmë. Dua që të luajmë në “Air Albania” dhe ne do të marrim maksimumin, pra fitoren.


Meqë jemi atmosferë Botërori dhe ju e fituat trofeun e parë në Shqipëri, kush do ta fitojë Botërorin?

Unë të them të vërtetën jam me Mesin, pra me Argjentinën. Meqë e ka Botërorin e fundit shpresoj që të dalë kampion.