Zgjedhjet e FSHF-së për president do të zhvillohen në vitin 2022, ndërsa statuti i ri ka ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së delegatëve me të drejtë vote. Siç dihet, klubet e Kategorisë së Dytë nuk kanë më votë, por ata nxjerrin delegatë që kanë të drejtë vote.
Neni 13 i statutit të ri të FSHF-së saktëson se votë kanë 26 klube të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së parë.
Të drejtë vote kanë edhe tri shoqatat, ajo e arbitrave, trajnerëve dhe mjekëve sportivë. Votë të tërthortë kanë tetë shoqatat rajonale të FSHF-së që ndajnë tetë delegatë, ndërsa 18 delegatë të tjerë ndahen mes zyrave rajonale në bazë të numrit të sportistëve.
Sipas statutit të FSHF-së, çdo klub që merr pjesë në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore dhe Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë në momentin e mbajtjes së asamblesë, ka të drejtë të ketë një (1) delegat. Nëse i njëjti klub merr pjesë në një ose më shumë gara të futbollit profesionist, futbollit amator ose futbollit te femrave, klubi do të ketë vetëm një delegat gjithsej.
RAJONET – Numri i delegatëve që përfaqësojnë futbollin amator përmes shoqatave rajonale do të jetë i barabartë me numrin e delegatëve të futbollit profesionist dhe do të ndahet ku secila shoqatë rajonale ka të drejtë të ketë një delegat. Delegatët e tjerë do të shpërndahen më pas midis të njëjtave shoqata rajonale në bazë të numrit të përgjithshëm të lojtarëve të regjistruar pjesëmarrës në kampionatet rajonale të të gjitha niveleve.
Numri total i lojtarëve përfshin lojtarët e regjistruar me klubet pjesëmarrëse në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë, klubet pjesëmarrëse në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë dhe klubet pjesëmarrëse në Kampionatin Kombëtar të Femrave e që nuk janë të përfaqësuara drejtpërdrejtë në një klub. Numri i delegatëve do të rrumbullakoset deri në numrin e plotë më të afërt derisa të gjithë delegatët t’i atribuohen një shoqate rajonale.
Që të jepet një shembull, klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë kanë 26 vota, 3 vota i kanë shoqatat, ndërsa 26 vota të tjera rajonale ndahen mes tetë rajoneve, nga Shkodra në Gjirokastër.
PËRJASHTIMI – Në cilësinë e anëtarëve të drejtpërdrejtë të FSHF-së mund të pranohet edhe subjekti Bashkimi i Lojtarëve Profesionistë me kusht që të jetë anëtar i FIFPro dhe të përfaqësojë më shumë se 60% të totalit të lojtarëve profesionistë të regjistruar nga klubet që marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore dhe Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë.