Andi Matraxhiu nuk do të jetë më drejtor sportiv i klubit të Kamzës. Burime të besueshme bëjnë me dije për newsport.al që ai ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante për shkak të mungesës së rezultateve në ndeshjet e fundit. Pas largimit të Klodian Duros, tashmë është radha e drejtorit sportiv të largohet nga klubi kamzali.

Për të mësuar diçka më shumë, newsport.al kontaktoi vetë Matraxhiun i cili konfirmoi lajmin e largimit. Ai falënderoi drejtuesit për besimin që i dhanë, por në fund theksoi se gjithçka doli jashtë pritshmërive dhe në këto kushte u detyrua të jepte dorëheqjen.

“Po është e vërtetë që jam larguar nga klubi i Kamzës. Pas një bashkëbisedimi që pata me drejtuesit, vendosa të dorëhiqem.

Arsyeja ka të bëjë me mungesën e rezultateve, ku edhe unë mbaj përgjegjësitë e mia. I uroj Kamzës suksese në vazhdimësi dhe e theksoj që do vijoj të jem tifoz me atë ekip.

Gjithashtu dua të falënderoj edhe presidentin Naim Qarri për mundësinë që më dha duke më ofruar postin e drejtorit sportiv. Më vjen keq që gjërat dolën jashtë pritshmërive”, përfundoi për newsport.al, Andi Matraxhiu.