Opinion nga BEHAR ULAJ

E kam ndjekur me shumë vëmendje situatën te Vllaznia dhe jo vetëm muajt e fundit që ka pasur shumë zhvillime, por shumë më herët. Kam qenë i bindur që Agron Çela do të ishte president, gjithashtu edhe për largimin e Duros dhe ardhjen e Bushatit në krye të ekipit. Të them të drejtën, Duro duhej të ishte larguar me kohë, ndërsa sa i takon presidentit, ato janë procedura që unë nga ana ligjore nuk i kuptoj me detaje dhe mund të ishte normale që zgjati kaq shumë.

Nuk dua të merrem me detaje dhe nuk është momenti të merremi tashmë me Duron (kam folur kur ka qenë koha, madje që në fillim kur bëri merkatos), pasi jo vetëm që nuk fitojmë gjë, por humbim kohën kot. Po i drejtohem presidentit Agron Çela, pak më pak trajnerit Artan Bushati, jo vetëm si tifoz, por edhe si shkodran dhe dashamirës i të gjithëve atyre që mundohen për ekipin kuqeblu, ekipi që më lë shpesh pa gjumë. Nuk kërkoj rezultate të mëdha deri në fund të sezonit, mjafton që Vllaznia të shpëtojë nga rënia, pasi koha për të kapur një vend në Europë është e pamjaftueshme. Kjo nuk do të thotë që nëse jepen mundësitë mos ta kërkojnë vendin e tretë. Kërkoj nga presidenca e re, nga trajneri i ri, nga të gjithë faktorët te Vllaznia të bëjnë një projekt për një ekip pretendent sezonin që vjen. Por një projekt ambicioz, duke filluar që sot e tutje, të mendohet për të ardhmen me të gjitha lëvizjet e mundshme, që nga prurjet e reja, që nga largimet, me të rinjtë, me gjithçka. Duam një ekip pretendent jo në letër, sepse në prag të çdo sezoni të ri Vllaznia është pretendente nga vetë emri i saj, nga tradita dhe nga trofetë e fituara. Dua një Vllazni që të të fusë frikën, dua një ekip që në Shkodër të mos diskutojë asnjë kundërshtar. Dhe shiheni pastaj “Loro Boriçin” si do të jetë i mbushur. Stadiumi “Skënderbeu” as gjysma e stadiumit të Shkodrës nuk ka për t’u mbushur. Shpesh kërkohet ndihma e tifozëve, madje edhe duke i futur falas, por para se të na ftojnë ne, duam që të kemi ekip. Dimë ta gjykojmë edhe kur nuk kemi fat, por ama futbollistët të japin shpirtin, të luhet mirë dhe në fund duartrokasim. Ndryshimet e reja, nëse nuk kanë ardhur me një projekt, me një dëshirë për të shpallur Vllazninë kampione, më mirë të na thonë, le ta gjejnë ata mënyrën se si, por mos na lodhin. Jo se ne nuk do ndjekim Vllazninë, pasi personalisht edhe kur luhet në Tiranë dhe shoh në kalçeto me bluzë të Vllaznisë, qëndroj me minuta të tëra duke e parë. Më dhemb shumë ngjyra kuqeblu dhe nëse edhe drejtuesve të rinj u dhemb, atëherë hajde ta ngremë Vllazninë në piedestal, atje ku e ka vendin, ne pjesën tonë të mbështetjes, ju anën tuaj, qoftë financiarisht, qoftë taktisht dhe teknikisht, me projekte afatgjata, duke dashur nderuar gjithë Shkodrën.