Vllaznia e këtij sezoni ka ndryshuar disi sa i takon strategjisë së aktivizimit të futbollistëve të rinj që vijnë nga Akademia. Ndryshe nga sezonet e kaluara, tashmë ngjarjet po rrjedhin ndryshe. Trajneri Josa, në bashkëpunim me drejtuesit, i shohin tashmë futbollistët e rinj si pjesë të rëndësishme të klubit dhe në këto javë të para, u kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme.

Deri më tani, në këtë pikë, mund të themi se Josa është aktori kryesor i një revolucioni mbi ndërtimin dhe ingranimin e talenteve në ekipin e parë. Dëshmi e qartë e kësaj është fakti se në pesë ndeshjet e para të këtij sezoni, Vllaznia ka aktivizuar tre të rinj, dy prej tyre edhe si titullarë.

Geralb Smajli është mbrojtësi shkodran, i cili padyshim në këtë nisjeje sezoni, pati minutat e veta jo të pakta në dispozicion. Mbrojtësi i djathtë, por që luan edhe në të majtë, ka bërë paraqitje pozitive kryesisht dhe ka fituar menjëherë simpatinë e Josës, duke nisur si titullar dy ndeshje prej pesë sfidave të para, në mungesë të Esin Hakajt.

Rejan Alivoda është mesfushori që ka firmosur një kontratë me Vllazninë në nisje të këtij sezoni dhe është aktivizuar nga trajneri Josa, i cili duket se po i beson shumë atij. Mungesa e Boshnjakut në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit, i dha shansin të luajë ndeshjen e parë si titullar me fanellën e Vllaznisë dhe bëri paraqitje dinjitoze.

Në fakt, Alivoda iu bashkua ekipit të parë të Vllaznisë vetëm në këtë verë. Megjithatë, ai ka arritur ta impresionojë shpejt stafin teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa dhe ka fituar debutimin që në ndeshjet e Conference League ndaj Universitateas së Kraiovës.

Antonio Delaj është sulmuesi i Vllaznisë, i cili spikat prej kohësh me ekipet e Akademisë kuqeblu dhe dalëngadalë, Josa po e bën pjesë të ekipit të parë. 19-vjeçari ka luajtur vetëm në ndeshjen me Egnatian deri më tani, pa arritur të shënojë apo të japë assist. Megjithatë, aktivizimi dhe firmosja e kontratës me ekipin e parë, është shumë e vyer për të riun Delaj, teksa për të flitet shumë nga opinioni sportiv, pasi cilësohet si një futbollist me premisa të mëdha për të ardhmen.
Maringlen ZHIVANI