Portali i njohur gjerman që merret me merkaton dhe kartonët e lojtarëve të ndryshëm ka bërë përditësimet e Kategorisë Superiore duke shtuar dhe ulur vlerat e futbollistëve të ndryshëm që militojnë në vendin tonë,.

Përditësimi nuk ka qenë i plotë, pasi ai llogarit ende në renditjen e më të vlefshmëve të Superiores emra të cilët i kanë dhënë lamtumirën kampionatit shqiptar.

Kështu, lojtari me vlerën më të lartë të kartonit është Sabien Lilaj, i cili kushton 750 mijë euro sipas “Transfermarkt”. Por mesfushori u transferua pak ditë më parë të Gabala në Azerbajxhan.

Vendi i tij duhet t’i kalojë Ali Soue, i cili vlerësohet 700 mijë euro, por edhe në këtë rast bëhet fjalë për një lojtar i cili vështirë se do të kthehet te Skënderbeu pas dënimit që mori nga KAS.

Edhe Enis Gavazaj, i cili vlerësohet 625 mijë euro, nuk do të veshë më fanellën e korçarëve pasi nga dita në ditë pritet zyrtarizimi i tij në ndonjë klub tjetër.

Ndërkohë, dy emrat e radhës në listën e më të vlerësuarve janë Abazaj dhe Guri, të dy të transferuar në Belgjikë dhe kartoni i të cilëve përllogaritet me shifrën e njëjtë 625 mijë euro.

Abazaj është ai që ka përmirësuar më shumë vlerën e tij gjatë këtyre muajve, duke e rritur me 250 mijë euro nga përditësimi i fundit.

Kësisoj, emri i radhës në listë, gjithmonë nëse vazhdon të qëndrojë në Superiore, është ai i Jurgen Bardhit të Partizanit, kartoni i të cilit përllogaritet 575 mijë euro nga ky portal.

Pas tij, me 550 mijë euro, vjen një tjetër kandidat potencial për t’u larguar nga Superiorja, portieri Gentian Selmani i Laçit.

Edhe emrat e tjerë që plotësojnë 10-shen e parë si Rexhinaldo, Aliti e Bregu janë të gjithë lojtarë të cilët vështirë se do të jenë pjesë e klubeve të Superiores në vazhdimin e sezonit, duke konfirmuar kështu cilësinë e madhe që ka humbur kampionati ynë vetëm gjatë ditëve të para të verës./vipsport/