Përpos kampionatit të Kategorisë Superiore të futbollit të meshkujve, këtë fundjavë do të nisë edhe kampionati kombëtar i futbollit të femrave. Ky kampionat për shkak të bojkotit të fillim- sezonit, është pak me vonesë sa i takon ecurisë së tij dhe për rrjedhojë në Federatë nuk kanë hezituar t’i fillojnë që në javën e parë të janarit ndeshjet e mbetura të fazës së parë.

Vllaznia kryesuese e kampionatit do të luajë në Shkodër të dielën dhe do të presë në “Reshit Rusi” ekipin e Teutës së Durrësit. Vajzat shkodrane i kanë fituar të gjashtë ndeshjet e luajtura deri më tani dhe kuptohet që do të vazhdojnë në këtë rrugë edhe në të ardhmen sepse objektivi i tyre është i qartë, fitimi i titullit të tetë kampion rradhazi.

Ndërkohë një sfidë shumë interesante do të luhet këtë javë në kryeqytet ku do të përballen dy ekipe rivalë me njëri- tjetrin, pikërisht ai i Tiranës me ekipin Juban Danja- Murlani. Ky i fundit për momentin ndodhet në vendin e tretë në renditje dhe ka dy pikë më shumë se bardheblutë.

Por nga ana tjetër, pas bashkimit të dy shoqatave, atyre të Juban Danjes dhe Murlanit në një të vetme, pritet që ky ekip gjatë këtyre ditëve të përforcohet me lojtare të tjera që do ta forcojnë edhe më shumë atë në përpjekje për të arritur objektivin që ka. Ekipi tjetër shkodran, ai i Akademisë Ajaks, këtë javë do të luajë në Fier ndaj Apolonisë së vendit të dytë.

Kampionati i femrave pritet të ketë një rivalitet të fortë për vendin e dytë pasi Vllaznia vështirë ta lëshojë të parin. Janë disa skuadra që duan vendin pas kuqebluve, duke filluar nga Apolonia, Juban Danja- Murlani, Tirana dhe Tirana AS, çka do të thotë se pritet një garë e bukur deri në fund të sezonit.