Përdorimi i VAR ka ndryshuar futbollin dhe ka zgjidhur disa situata të cilat krijonin më parë probleme gjatë ndeshjeve dhe bëheshin objekt polemikash.
Një nga fenomenet që është goditur rëndë nga VAR është ai i simulimit. Tashmë lojtarët e kanë shumë më të vështirë të kërkojnë penallti me simulime qesharake, pasi kamerat arrijnë të diktojnë gjithçka edhe atëherë kur gjyqtari nuk e ka kuptuar mirë se çfarë ka ndodhur.
Një gjë e tillë ndodhi edhe në derbin e kësaj fundjave në Serinë A, ku Torino u përball me Juventusin, në sfidën që përfundoi me shifrat 2-2. Gjatë ndeshjes, Bernardeski u mundua që të fitonte penallti duke u rrëzuar në zonën kundërshtare, por si “shpërblim” mori vetëm kartonin e verdhë.
Por përveç ndëshkimit në ndeshje, ai ka marrë një ndëshkim edhe nga komisionet disiplinore të federatës Italiane. Kështu, atij i është vënë sot një gjobë prej 2 mijë eurosh “se ka simuluar se ka qenë viktimë e një ndërhyrje të gabuar në zonën e rreptësisë kundërshtare”. Zgjidhje ideale, për të dekurajuar edhe të tjerët që provojnë të bëjnë gjëra të tilla. /vipsport/