Ndeshje emocionuese dhe surpriza janë prodhuar në ditën e sotme të Superiores. Bylisi ka arritur të fitojë në minutat e fundit ndaj Egnatias në shifrat 1-0. Ekipi i Duros ka dominuar dhe kishte shumë raste të pastra për të shënuar. Por në minutat e fundit kishte kundërsulme nga të dy krahët.
Bylisi përfitoi dhe arriti të shënonte me Flamur Ruçin në të 92. Ky futbollist ia dedikoi golin vëllait që iu nda nga jeta vetëm pak ditë më parë. Egnatia ishte e pafuqishme për të reaguar dhe nuk mundi të shfrytëzonte rastet e saj që rezultati i këtij takimi të kishte tjetër fat.
Shpëtim Duro: “Ne dominuam gjatë gjithë ndeshjes. Ky është futbolli, diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla dhe nëse nuk impenjohesh maksimalisht, merr goditje.
Bylisi po priste në gjysmëfushë dhe ka kundërsulm të shpejtë, në fund u ndëshkuam. Kam folur këto ditë me ekipin dhe nuk kishte eufori. Ua kisha thënë se me Bylisin do të jetë më e vështirë se me Vllazninë. Ua kisha thënë se do të ishte shumë e vështirë nëse nuk shënojmë. Kjo duhet të shërbejë si një mësim, duhet të përqendrohemi për ndeshjen tjetër”.