lseid Hysaj ka qenë futbollisti i cili është shfaqur në konferencën për shtyp përkrah trajnerit Edi Reja para ndeshjes me Izraelin, për të treguar përshtypjet nga grupi kuqezi për këtë sfidë. Ai ka theksuar se grupi i lojtarëve është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj sfide.

“Normale që kemi ardhur këtu për të luajtur një lojë të mirë dhe kërkuar pikët, se po dolëm pa pikë do të jetë e vështirë që të arrijmë objektivin tonë. Jemi të përgatitur të gjithë, e dimë që është ndeshje e rëndësishme dhe të gjithë djemtë i kemi gati për këtë punë.

Besoj se të gjithë jemi aq të rritur e profesionistë që nëse do trajneri të ndryshojmë pozicionin në fushë, duhet të jemi të gatshëm ta bëjmë. Pastaj varet nëse nuk i pëlqen në lojë, mund të ndryshojmë përsëri me modulin e zakonshëm. Kjo do të jetë një zgjidhje që do ta bëjë trajneri dhe besoj se jemi profesionistë që të japim maksimumin tonë në fushë që të bëjmë atë që kërkon trajneri.

Ne jemi të rritur mjaftueshëm sa ta kuptojmë që është e rëndësishme, e dinë të gjithë sa është e rëndësishme kjo ndeshje se më parë duhet të kalojmë këtë pastaj të mendojmë për tjetrën dhe kualifikimin Ndaj do të jemi 100% të fokusuar te kjo dhe pastaj kalojmë te tjetra. Kemi bërë mirë edhe në ndeshje të tjera të rëndësishme edhe me dëmtime. Por kam besim te çunat se çdokush që ka ardhur në këtë grumbullim do të tregojë vlerat e tij.

Normalisht që gjithmonë mungesat sjellin probleme, por siç kemi parë edhe më parë, ka ndodhur që kemi pasur mungesa dhe ato që janë futur kanë treguar vlerat e tyre dhe kanë dalë ndeshje të mira e kanë ndihmuar ekipin. Ne kemi ecur gjithmonë përpara si grup, se nuk kemi një lojtar që të bëjë të fitojë ndeshjen apo humbim, e dimë që kemi kualitet si para, si mbrapa për të bërë rezultat e për ta mbrojtur. Vlerat tona i dimë dhe do t’i tregojmë nesër.

Presioni nuk është vetëm për Izraelin por edhe për ne se edhe ne na duhet fitore. Do të jetë i njëjti presion në fushë, do të shfrytëzojmë momentin. Nuk është se kemi më pak presion se Izraeli”, tha Hysaj.