Shpëtim Duro do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin kosovar. Për këtë janë të bindur në Kosovë, ku bëjnë fakt të sigurt firmën e tij me kampionët në fuqi të Kosovës.

Sipas “Korneri.net”, akordi është arritur sot dhe Duro ka pranuar ofertën që i ka mbërritur nga Kosova për të marrë drejtimin e skuadrës e cila shkroi historinë në Europë por zhgënjeu plotësisht në kampionat në këto javë të para duke sjellë edhe shkarkimin e trajnerit Bekim Isufi.

Skuadra aktualisht ka 3 pikë me 1 fitore e 4 humbje në këto 5 javë. Klubi u vu në kërkim të trajnerit të ri dhe ndër emrat e parë që kontaktoi ishte Duro.

Ky i fundit pritet të prezantohet nesër në radhët e skuadrës për të nisur një cikël të ri fitues me ekipin që aktualisht mban vendin e parafundit në klasifikim.

Duro ishte në kërkim të një eksperience të re pasi mbylli pa shumë sukses sezonin e kaluar në drejtimin e Flamurtarit, duke u shkarkuar pak javë para fundit të kampionatit. /vipsport/