Pas një fillimi të mirë në kampionatin belg, Sindrit Guri duket se nuk po arrin të lërë gjurmë në këto javë me skuadrën e Ostendes.

Ai ka shënuar vetëm një gol ndaj Anserlehtit, pa mund të ndihmojë skuadrën e tij për të evituar humbjen, si edhe ka asistuar në ndeshje tjetër.

Në takimin e fundit, që Ostende luajti ndaj Kerkle Bryzhit, Guri u aktivizua për rreth 60 minuta dhe nuk arriti të bënte asgjë në barazimin 1-1.

Trajneri i Ostendes, Gert Verheien ka folur në lidhje me momentin që po kalon Sindrit Guri dhe Sakala, një tjetër lojtar nga i cili pritet shumë.

“Në fakt, nuk dua të flas shumë për sulmuesit pasi e di shumë mirë se duke folur i vë në presion. Unë kam qenë vetë një sulmues dhe e kam provuar. Ata e njohin mirë veten e tyre dhe e dinë se sa të mirë janë.

Megjithatë, unë nuk mund të pres që gjatë gjithë sezonet që ndeshjet të më zgjidhen nga mbrojtësit dhe mesfushorët.

Të gjithë kanë pasur mundësitë dhe shanset e tyre, pasi kanë luajtur për rreth 500 minuta, përveç Sakalës që ka luajtur pak më pak. Nuk mund të futem unë në lojë dhe të shënoj golat.

Si mund të zgjidh situatën? Nuk mund t’i lë në lojë. Deri më tani kam qenë shumë i qetë dhe në lidhje me mundësinë për të luajtur me dy sulmues, mund të bëhet vetëm nëse kam dy të mirë”, u shpreh trajneri. /Vipsport/