Alban Xhaferri, presidenti i Vllaznisë ishte i ftuar mbrëmë në emision sportiv të MCN Tv. Numëri një i shkodranëve foli për fitoren e kupës së Shqipërisë nga ana e kuqebluve. Vështirësitë që kishte ky sezon me luhatjet e tij, apo edhe objektivat për Europën dhe edicionin e ri. Por ajo që ra në sy në fjalët e Xhaferrit ishte shprehja “ne nuk lusim askënd”.

Kjo referuar futbollistëve që tashmë iu ka përfunduar kontrata me Vllazninë dhe për momentin ende askush nuk ka rinovuar. Në këtë grumbull futbollistësh janë edhe disa prej atyre që mbajtën peshën kryesore të sezonit si: Zogoviç, Adili, Hakaj, Jonuzi, Da Silva apo edhe të tjerë. Sipas Xhaferrit palët janë në bisedime dhe ofertat janë konkurruese për tregun e futbollit në Shqipëri.

Por ai theksoi se klubi nuk do i shkojë pas asnjë futbollisti, pasi askush nuk qëndron mbi interesat e Vllaznisë dhe objektivave të skuadrës. Duke treguar që edhe financat tashmë janë të shëndosha, si edhe ardhjen e një sponsori të ri shumë shpejt, tek Vllaznia mund të ketë edhe një revolucion të mundshëm në merkaton e kësaj vere.

Megjithatë synim i drejtuesve është që të mos prishin grupin e këtyre dy sezoneve. Por të punohet me seriozitet duke marrë edhe futbollistë që mund të pasurojnë organikën dhe të shtojnë cilësinë e skuadrës.

Dhe siç e tha edhe trajneri Josa, futbollistët nuk do merren vetëm për Europën, por për sezonin dhe vijimin e tij. Pra me shumë mundësi në gjysmën e korrikut ekipi i Vllaznisë do jetë i konsoliduar për sezonin e ri, duke mos përjashtuar ndonjë surprizë gjatë merkatos deri në fund.

Endri ÇINARI