Në ndeshjen e nesërme ndaj Partizanit nuk do të jetë në fushë për shkak të një dëmtimi megjithatë ai ka bindjen se Vllaznia do ta fitojë edhe këtë takim dhe do të vazhdojë rrugën e saj për të arritur objektivin që i ka vënë vetes. Bëhet fjalë për basketbollistin Damian Bekteshi i cili ka pësuar një dëmtim dhe e ka të pamundur të luajë të mërkurën ndaj të kuqve megjithatë po punon për t’u rikuperuar në mënyrë që të jetë i gatshëm për sfidën e fudjavës me Kamzën. Në një prononcim për mediat në lidhje me takimin e rradhës, ai do të shprehej: “”Dëshira ime ishte që të isha në fushë dhe të ndihmoja ekipin por dëmtimi që kam pësuar, nuk ma lejon këtë gjë. Megjithatë unë kam besim tek shokët e ekipit se do të dinë të nxjerrin një ndeshje të mirë dhe të fitojnë edhe ndaj Partizanit.

Shpirti i lartë i garës dhe karakteri që treguam në ndeshjen e kaluar në Durrës, besoj se janë vlera të ekipit tonë i cili e nisi sezonin me shumë probleme por po arrin të jetë rivalizues me të gjithë ekipet pretendente dhe t’i sfidojë ato.Unë kam shumë besim se do fitojmë edhe me Partizanin dhe do të ruajmë pozitat në renditje deri në ndeshjen e datës 20 dhjetor që kemi në Shkodër me Tiranën”- është shprehur ai.

Në fund, Bekteshi ka një vlerësim edhe për kapitenin Berdica për të cilin thotë: “Berdica jo vetëm që është kapiteni por është edhe frymëzim për të gjithë ne. E habitshme që për moshën të cilën ka, ai ka një vullnet të jashtëzakonshëm për të punuar në stërvitje dhe kjo reflektohet edhe në formën e tij.Shpresoj të vazhdojë sa më gjatë të luajë sepse është pikë referimi për të gjithë basketbollistët e rinj se si duhet të punojnë dhe çfarë duhet të bëjnë për të arritur diçka në karrierën e tyre”.
© shkodrasport.com