Java e 16-të e Superligës dhe e para për këtë vit 2022, u hap këtë fundjavë për tu mbyllur të mërkurën me Kukësi-Dinamo. Kjo ndeshje e shtyrë për shkak të shpërthimit të virusit Covid-19 tek kuksianët. Por ky raund ofroi disa ndeshje interesante ku spikati Tirana-Vllaznia.

Ndeshja u mbyll me rezultatin 0-0. Por Vllaznia konfirmoi forcën e saj që do jetë një pretendente deri në fund, kjo edhe nga vetë loja shumë e mirë që zhvilluan kuqeblutë në kryeqytet. Një “ndalesë” nëse mund të quhet e tillë ishte barazimi i Laçit 0-0 kundër Skënderbeut në Korçë. Megjithatë pikët në transfertë janë gjithmonë të rëndësishme.

Partizani duket se është rikthyer fuqishëm me rivazhdimin e sezonit. Të kuqtë me trajnerin e ri, Mehmeti, fituan në shifrat 0-3 përballë Egnatias. Tashmë rrogozhinasit janë qartë vetëm për mbijetesë, dhe ëndërrat për një kualifikim në Europë ishin vetëm në letër. Ndërkohë surprizues rezultati në Kastrioti-Teuta.

Durrsakët u mundën me rezultatin 2-0 duke qenë kështu shumë larg pritshmërive të sezonit të shkuar. Ndërsa për krutanët ky sukses është shumë i rëndësishëm në garën për mbijetesë. Tashmë duhet pritur edhe takimi mes Kukësit dhe Dinamos për tu mbyllur totalisht edhe ky raund i Superligës.
Endri ÇINARI