Akademia “Vllaznia” çdo vit prodhon talente, e madje afro 10 lojtarë Shkodranë, çdo periudhë vere shpërndahen në ekipet e Veleçikut, Adës, Besëlidhjes apo dhe në skuadra të ndryshme të Superiores dhe Kategorisë së Parë. Tradita me talentet që ata të luajnë në skuadrën e parë sikur është harruar në Shkodër.

Belajdi Pusi, është sulmuesi që 2 sezone më parë konsiderohej si e ardhmja e sulmit shkodran dhe jo vetëm. Pusi ka qenë pjesë e moshave të Vllaznisë, ndërsa prej tre sezoneve është bërë pjesë e skuadrës së parë edhe në saj të cilësive që ka si sulmues dhe fizikut të admirueshëm.

Por, këtë sezon, ndonëse në verë pati oferta, Pusi thekson se priste të luante më shumë. Në një intervistë për “Vipsport”, 21-vjeçari Belajdi Pusi, tregon rikthimin e Vllaznisë, por edhe synimet e e së ardhmes…

-Pusi, prej 3 sezoneve jeni pjesë e skuadrës së parë, por këtë vit edhe pse në Kategorinë e Parë nuk keni luajtur shumë…

Të them të drejtën as vetë nuk e prisja. Mendova se do të aktivizohesha, ndaj edhe qëndrova në Shkodër, aq më tepër që edhe vjet kam bërë më të mirën time, si në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë duke shënuar 4 gola. Por, kam punuar dhe kam ulur kokën…

-E ke menduar largimin?

Po kam pasur shumë oferta për të qenë realist, madje jo vetëm nga skuadra të Kategorisë së Parë, por edhe nga Superiorja që më garantonin që unë do të luaja. Zgjodha të rri në shtëpi duke qenë se besoja se do të luaja. Të them të drejtën as vetë nuk e kam kuptuar, me mua por edhe me të rinjtë e tjerë…

-Meqë përmende të rinjtë, Vllaznia ka aktivizuar lojtarët talentuar 17-18-vjeçarë edhe kur pretendonte titullin, ndërsa këtë sezon edhe pse me diferenca me rivalët ka dal paksa jashtë traditës. Pse ndodh kjo?!

Të them të drejtën, trajneri këtë sezon ka zgjedhur formacion fiks po ta shohësh në të mirë të skuadrës. Kategoria e Para është e vështirë, sepse si të thuash do burra, por ama mendoj se edhe talentet shkodranë që janë të shumtë e meritojnë një shans. Ju po e shihni që shkodranët po luajnë dhe janë të rëndësishëm, në Lezhë, Krujë, Durrës por edhe ekipe të tjera. Duhet besuar më shumë te talentet vendas sepse kështu po shuhet tradita shkodrane!

-Ndryshimet në stol, mund të sjellin risi edhe për lojtarët vendas?

Shpresoj, jo vetëm për faktin se ka ndryshime në stol, sepse unë i jam mirënjohës edhe trajnerit Lika. Ka bërë punë të mirë. Edhe tani me profesor Osjen shpresoj që të luaj sa më shumë, sepse si të thuash Vllaznia është me një këmbë në Superiore. Ndaj jo vetëm unë, por edhe shumë të rinj shkodranë që janë të talentuar e meritojnë që të luajnë në këto 6 ndeshje që të jenë gati për Superioren.

-Vllaznia ka pasur sulmuesit më në zë të Superiores, por nuk po ndodh më në 2-3 vitet e fundit. Cilat janë arsyet?

Unë shpresoj që të luaj sa më shumë dhe jam i bindur që ndoshta sezonin e ardhshëm në Shkodër do të shohin një Salihi apo një Sinani apo pse jo edhe Martini apo ndonjë tjetër. Janë emra që kanë bërë jehonë, kanë lënë respekt kudo ku kanë luajtur dhe janë shembull për neve lojtarët e rinj shkodranë./Vipsport/