Ndër 4 sportistët shqiptarë që morën pjesë në Europianin U22, vetëm shkodrania Elsidita Selaj arriti të futet në zonën e medaljeve. Mori të bronztën dhe për arsye shëndetësore nuk mundi të shkonte më tej, megjithatë edhe ky është një sukses i madh i kësaj sportisteje.

Në harkun kohor të një viti, ajo i jep Shqipërisë dy medalje, vjet të argjendtën në Europianin U18 dhe sivjet të bronztën në atë të 22 vjeçarëve. Padyshim që ky është një sukses i madh për të dhe po ashtu edhe për trajnerin e saj, të mirënjohurin Jetmir Kuçi.

Ky i fundit është vërtetë një personalitet i këtij sporti, fillimisht në rolin e boksierit dhe tashmë atë të trajnerit. Puna me këtë sportiste po jep frutet e veta dhe në fakt “Bacuku” e kishte paralajmëruar këtë gjë duke kërkuar mbështetje sepse kishim të bënim me një boksiere që do të nderonte Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Në mbështetje të Kuçit ka dalë edhe një boksier tjetër i njohur, kampioni shkodran Kristian Demaj ka komentuar në një postim të presidentit të FSHBo-së Florend Kalivopuli që kishte dalë për të pritur në Rinas Selajn dhe pjestarët e tjerë të kombëtares që morën pjesë në Europianin e Rusisë.

Në postimin e tij Demaj shkruan: “Urime Kampiones. Një urim i veçantë shkon për Jetmir Kuçin, një njeri që meriton majat ne boksin shqiptar. Fjalët janë të tepërta. Puna, përkushtimi dhe rezultatet flasin vetë. Me e thanë shkurt: Jepini atë që meriton sepse ju siguroj që nuk do pendoheni. Nesër do jeni krenar me të. Suksese…”
© shkodrasport.com