Nga Vllaznia–Partizani te një tjetër ndeshje fotokopje, e vlefshme për Superioren shqiptare por me vlerë futbolli europian dhe milionash në lojë. Shkodranët dhe të kuqtë rikthehen në vendin e krimit pas rreth 10 ditësh në një tjetër përballje që mund të ndajë shumë nga torta e këtij sezoni për skuadrat në garë të zonës europiane.

Ekipi i Dritan Mehmetit u dorëzua në Kupë vetëm në lotarinë e 11-metërshave ndërsa në kampionat duhet të ruajë avantazhin e pikës me Vllazninë për të synuar ndoshta edhe vendin e tretë të Kukësit.

Një mungesë e madhe për vendasit do të jetë braziliani Victor Da Silva, i dëmtuar pikërisht në ndeshjen ndaj të kuqve, por këmbanat e alarmit bien edhe për sulmin me Aralicën dhe Hoxhajn që do të jenë në dyshim deri në çastet e fundit përpara fillimit të ndeshjes së programuar për të shtunën.

Në kampin kryeqytetas situata është më e qetë pasi trajneri Mehmeti ka punuar larg vëmendjes së mediave në kompleksin e Partizanit me të gjithë ekipin në dispozicion.

Transferta e Shkodrës konsiderohet jetike për sezonin e të kuqve të cilët duhet të shënjestrojnë me çdo kusht Europën që do të siguronte të ardhura për të ndërtuar një skuadër të forcë dhe konkurruese për sezonin e ardhshëm.