Braziliani Nejmar nuk i ka rezistuar dot tundimit të milionave nga Katari dhe me sa duket ato e kanë bindur që të braktisë ëndrrën e tij për t’u bërë më i miri në botë. Braziliani kërkonte transferimin në sezonin e ardhshëm drejt Real Madrid apo Barcelonës, por kontrata që ka lidhur së fundmi tregon se do të vazhdojë të luajë me PSG pasi milionat që i ka siguruar klubi kanë prioritet.

Banka Kombëtare e Katarit, më e madhja në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ka bërë të ditur se Nejmar do të jetë ambasadori i saj i ri. Kjo marrëveshje i garanton asaj të drejtat e imazhit të Nejmar si ambasador i firmës, në të gjithë platformat e marketingut.

Sigurisht që një akord i tillë do të sjellë më shumë se 100 milionë euro në arkat e futbollistit brazilian në vitet e ardhshme, të paktën deri në vitin 2022, kur zhvillohet Botërori në Katar.

Kjo kontratë ka lidhje direkte me PSG-në, pasi banka është nën pronësinë e autoritetit shtetëror Qatar Investment Authority, e cila ka në pronësi edhe Qatar Sports Investment që zotëron PSG-në.

E kotë të përmendet në këtë pikë çdo zë merkatoje që sheh Nejmar të largohet në verë, apo në vitet e ardhshme nga parisienët. /vipsport/