Qyteti i Shkodrës do të ketë tashmë edhe një terren sportiv më tepër në organikën e tij. Fjala është për një terren që është duke u ndërtuar në ambientet e shkollës “Ali Laçej”.

Ky investim që i dhurohet Bashkisë Shkodër vjen nga fondacioni i modeles shkodrane, por me banim në Amerikë, Angjela Martini, e cila ka zgjedhur lagjen ku ka jetuar për të dhënë një shembull tejet pozitiv. Investimi në fjalë do të jetë gati brenda një muaji, duke i dhënë kështu shkollës 9-vjeçare “Ali Laçej” një tjetër imazh për zhvillimin e sportit tek të rinjtë.

Ndërkohë, në një prononcim për mediat, përgjegjësi i Drejtorisë së Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sporteve në Bashkinë Shkodër, Alban Neziri tha se ky terren sportiv do të jetë tërësisht në funksion të nxënësve për zhvillimin e orëve të edukimit fizik, por edhe për komunitetin e zonës në orët e pasdrekës. Neziri u shpreh se falënderon tej maset fondacionin “Angela Martini” për këtë investim, ndërsa theksoi se Bashkia Shkodër do të zhvillojë gjëra të mira për komunitetin sportiv.

“Ky terren sportiv është një investim i fondacionit “Angela Martini”. Unë e falënderoj publikisht, sepse ka zgjedhur një nga lagjet ku ka jetuar dhe është rritur.

Unë besoj se ky terren sportiv do t’i shërbejë jo vetëm shkollës “Ali Laçej”, por edhe gjithë komunitetit, sepse është një zonë që ka një popullësi jashtëzakonisht të madhe. Kjo zonë i ka dhënë gjithmonë qytetit tonë sportistë elitarë dhe jam i bindur që nuk do të jetë i fundit në qytetin tonë, ku do të zhvillojmë gjëra të mira për komunitetin sportiv.

Unë falënderoj edhe drejtorin e shkollës “Ali Laçej” për gatishmërinë dhe gjithë ata që bënë të mundur që të zhvillohet dhe t’i jepet diçka e bukur qytetit tonë.

Besoj se do të jetë një ndër projektet më model që është zhvilluar ndonjëherë në qytetin e Shkodrës, ku do të jetë e veçantë, sepse kjo fushë do të jetë edhe me ndriçim që do të shërbejnë jo vetëm gjatë ditës, por edhe darkave për komunitetin, për gjithë njerëzit që kanë dëshirë për t’u marrë me sport.

Sepse dëshira jonë është të vendosim në dispozicion kushtet tona në rradhë të parë që t’i shërbejmë rinisë që merret me sport”,-tha gjatë prononcimit të tij, përgjegjësi i Drejtorisë së Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sportit në Bashkinë Shkodër, Alban Neziri.
Maringlen ZHIVANI