Drejtori sportiv i akademisë Vllaznia, i cili është njëkohësisht edhe drejtori i sporteve në bashkinë e Shkodrës, Alban Neziri e vlerëson si një nga ekipet më të mira të dekadës së fundit skuadrën aktuale, që udhëhiqet nga Mirel Josa.

Sipas tij, ekipi pavarësisht oshilacioneve në rezultate, ka treguar se është një prej pretendentëve kryesorë për titull. Në intervistën për “Panorama Sport”, Hasani ka vlerësuar maksimalisht aktivizimin e elementit të ri në skuadër, duket treguar se edhe objektivat e akademisë Vllaznia mund të quhen të përmbushura. Ai apelon te drejtuesit e FSHF-së që të ndjekë shembullin e Federatës Kosovare të Futbollit për aktivizimin e një elementi 18-vjeçar në formacionin e parë, si shtysë për të rinjtë.

Si e vlerësoni Vllazninë e deritanishme?

Mund të them se kemi ekipin më të mirë të 10 viteve të fundit. Kjo nisur nga kontingjenti që skuadra ka në përbërje të saj. Mund të them se pavarësisht oshilacioneve në rezultate, skuadra me disa mungesa të herë pas hershme ka treguar se ka potencialin të jetë rivale e denjë për titull.

Fitorja ndaj Tiranës e rrit më shumë optimizmin për titull?

Kjo është diçka që kuptohet. Të fitosh me një prej rivaleve historike dhe ekipin që ndodhet në vendin e parë, normalisht që rrit më shumë entuziazmin në skuadër.

Tirana apo Partizani, kush do të jetë rivali më i fortë i Vllaznisë për titull?

Mund të them se nuk mund të ndash njërën prej tjetrës. Të dyja janë skuadra që do të rivalizojnë për titull dhe do të kërkojnë që ta bëjnë të tyrin këtë trofe. Por për mua Vllaznia do të jetë skuadra që do të rivalizoj denjësisht dhe e shikoj më shumë afër këtij trofeu.

Sa e ka rritur entuziazmin afrimi i një lojtari me aq emër si Bekim Balaj?

Ardhja e Balës është dhurata më e bukur që klubi i ka bërë qytetit. Bëhet fjalë për një profesionist të vërtetë të paparë. Një makineri shumë të fortë në fushën e lojës. Me ardhjen e tij mendoj se ne jemi pretendentë kryesore për titullin kampion.

Mesa duket të rinjtë po gjejnë vendin e tyre te kjo skuadër, pavarësisht konkurrencës?

Akademia Vllaznia e ka përmbushur objektivin e vet, duke i ofruar klubit dy xhevahirë si Alivoda e Smajli në këtë sezon. Ato kanë treguar me shumë meritë se e meritojnë një vend në formacionin e parë. Ato kanë kaluar jo pak sfida dhe jo pak konkurrencë për të qenë në këto nivele.

Duke mbetur te të rinjtë unë do t’i kërkoja federatës tonë të futbollit që të ndjekin shembullin e Kosovës, që duke filluar nga sezoni tjetër, të miratojë që në formacionin bazë të jetë një lojtar 18-vjeçar, e të zëvendësohet po me një 18-vjeçar. Kjo për t’i dhënë më shumë hov sportistëve të rinj dhe më shumë shanse atyre që të jenë pjesë te ekipet të para.

Vllaznia këtë fundjavë luan ndaj Egnatias. Një skuadër që këtë sezon s’e ka mundur asnjëherë. Si e shikoni këtë takim?

Vllaznia ka vuajtur ndaj ekipeve të tilla, jo vetëm në këtë sezon, por edhe në sezonet e shkuara. Megjithatë tani kam mendimin se ka ardhur koha për një vazhdimësi në rezultate. Në Rrogozhinë skuadra duhet që të kërkoj vetëm fitoren nëse do që të jetë kampione.

Ndryshe me kalimin e takimeve edhe vështirësitë për të shkuar te titulli rriten. Vllaznia ,e thashë, ka forca dhe ka grupin që të jetë kampione. Por duhet që të tregoj të njëjtin nivel dhe të njëjtin impenjim si me Tiranën apo me Partizanin edhe me ekipet e tjera. E pa dyshim që të ketë edhe fatin me vete dhe të shikohet drejt nga të tjerët.