Pjesmarrja në “Uefa Youth League” për ekipin Vllaznia U-19 sigurisht që nuk ka dhuruar vetëm emocionet e pjesmarrjes në një aktivitet të tillë kaq të rëndësishëm. Kjo sepse duke luajtur këto ndeshje, shkodranët e rinj kanë patur mundësinë të tregojnë vlerat edhe në sytë e menaxherëve të ndryshëm.
Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pak ditë më parë në Moldavi kur në tribunën e stadiumit ka patur menaxherë të ndryshëm por jo vetëm kaq sepse ata tashmë kanë mbërritur edhe në Shkodër për të ndjekur lojtarët më të mirë të këtij ekipi.
Këtë fakt e ka zbuluar për “Shkodra Sport”, përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri që thotë: Këtë djem ende nuk e dinë rëndësinë e kësaj pjesmarrje. Ata tashmë janë në sytë e shumë menaxherëve të huaj. Që në Kishinau pati interesime për ta. Për ndonjërin nga futbollistët tanë madje si për shembull, Hysenajn, pati edhe ndonjë ofertë nga vetë drejtuesit e Zimbrus por për ne ajo ofertë ishte qesharake, nisur nga vlerat që disponon ky futbollist. Jo vetëm kaq. Në ndeshjen e kampionatit që zhvilluam dy ditë më parë në Shkodër ndaj Laçit, në tribunën e “Reshit Rusit” kanë qenë të pranishëm tre menaxherë. Bëhet fjalë për një menaxher të ekipit danez të Kopenhagenit, një të AEK-ut të Athinës dhe një menaxher të një ekipi rumun që ka qenë edhe në Moldavi. Ata janë interesuar për futbollistë të tillë si Hysenaj, Pusi, Miloti, e ndonjë tjetër. Duan t’i shohin nga afër, të dinë kushtet e kontratës së tyre dhe shumë gjëra të tjera. Jam i bindur se edhe më 18 tetor, në ndeshjen e kthimit ndaj FC Zimbrus, në tribunën e “Loro Boriçit” do të ketë përsëri menaxerë të ndryshëm dhe kjo është një mundësi e mirë për futbollistët tanë për të treguar vlerat e tyre”.
© shkodrasport.com