Pasi është shpallur kampion kombëtar në muajin qershor, çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola pak ditë më parë ka fituar edhe Rrethin Çiklistik të juniorëve, i pari i këtij lloji zhvilluar në Shqipëri. Ndër katër etapat e këtij Rrethi, ai ka fituar tre dhe kjo tregon performancën e shkëlqyer të tij. Në podium në këto etapa ka patur gjithnjë edhe sportistë të tjerë të ekipit shkodran por protagonisti i këtij shkrimi, përmend edhe të tjerë protagonistë të këtij suksesi të rradhës të ekipit shkodran.

“Vërtetë unë kam fituar tre etapa dhe një tjetër Astrit Kronaj ndërsa në podium dy herë është ngjitur edhe Kledison Cani por të mos harrojmë se ne funksionojmë në mënyrë të shkëlqyer si ekip. Një kontribut shumë të madh në arritjen e këtij suksesi kanë edhe sportistët e tjerë të ekipit si Sion Gjoka, Alfons Rrashkadoli e Gjergj Zefi të cilët kanë punuar për ekipin në mënyrë të shkëlqyer”- thotë për “Shkodra Sport” fituesi i Rrethit Çiklistik. Ky ekip ka fituar thuajse të gjitha garat e zhvilluara gjatë këtij viti dhe mosha e re e pjestarëve të tij premton shumë për të ardhmen. Kuptohet që dëshira e të gjithëve është për të rikthyer periudhën e artë të viteve ’80 kur Tafilët, Syka etj, dominonim në çiklizmin shqiptar. I pyetur në lidhje me këtë gjë, Bruno Kola do të shprehej: “Padyshim që ky është objektivi ynë, të rikthejmë atë periudhë. E dimë që është e vështirë dhe ndoshta e paarritshme por jemi një brez i mirë sportistësh që premtojmë për të ardhmen. Problemi është të ruhet ky grup. Kemi edhe mbështetjen e klubit Vllaznia dhe të Bashkisë Shkodër, institucione këto që duke parë punën tonë, na kanë qëndruar afër dhe kjo na ka nxitur edhe më shumë të bëjmë më të mirën”. Ndërkohë, i pyetur për objektivat e tij personal, sportisti që ende nuk i ka mbushur 17 vjeç shprehet: “Në Shqipëri kam provuar t’i fitoj të gjitha garat. Objektivi im është të fitoj gara edhe në arenën ndërkombëtare. Dy vitet e fundit kam marr pjesë në Kampionatin Ballkanik dhe kam qenë shumë pranë zonës së medaljeve por për gabime të vogla nuk ia kam arritur.Shpresoj t’ia arrij vitin që vjen”.

© shkodrasport.com