I mjaftuan 5 minuta në sfidën kundër Skënderbeut për të qenë protagonist me asist në fitoren 2-0 të Vllaznisë. E po ashtu edhe mbrëmë në 10 minutat që luajti ishte ai që i dha një marsh më tepër sulmit shkodran. Fjala është për Mehdi Çobën që në ndeshjet e fundit ka treguar një formë të mirë.
Djaloshi shkodran u thirr në “apel” nga trajneri Brdariç mbrëmë në ndeshjen kundër Dinamos në minutën e 80-të. Kjo për ti dhëne freski sulmit dhe shpejtësi e rrezikshmë, cilësi të cilat Çoba i zotëron dhe i nxorri në pah kundër bluve. Largimi i Aralicës dhe aktivizimj i 21-vjeçarit i dha një tjetër ritëm kuqebluve.
Madje mëngjërashi ishte i pafat, ku në një goditje këndi fati nuk ishte me të. Goditja e tij me kokë përfundoi për punë centimetrash jashtë kuadratit. Një gjuajtje mjaft e bukur ku portieri dinamovit në ato çaste ishte i mundur dhe sfida mund të fitohej nga Vllaznia.
Çoba nga ndeshja në ndeshja po tregon rritje dhe se është gati çdo herë që hidhet në fushë për të dhënë kontributin e tij. Duke parë edhe formën që ka shfaqur me siguri trajneri Brdariç mund ti besojë disa minuta më tepër në ndeshjen e rradhës. Kjo si pasojë edhe e “ngërçit” që po kalojnë Aralica dhe Djurdjeviç, dy sulmuesit e tjerë të skuadrës shkodrane.
Endri ÇINARI