Vllaznia do udhëtojë sonte drejt Elbasanit për tu ndeshur me Dinamon. Takimi do jetë i vlefshëm për javën e 14-të të Superligës ku përballë do jenë shkodranët që po kalojnë një superformë dhe kryeqytetasit që janë zhytur në krizë të thellë. Patjetër kjo është një “klasike” e futbollit tonë dhe pritet të dhurojë një sfidë për tu shijuar.
Si kuqeblutë ashtu edhe “nëndetësja” do hyjnë në fushë për një rezultat pozitiv. Kjo nga ana e ekipit të Brdariç për të vijuar me formën e mirë dhe për të ushtruar sa më shumë presion Tiranës kryesuese. Dhe po ashtu ekipi i Shkëmbit që kërkon ti shkëputet fundit të tabelës dhe një humbjeje të rradhës që mund të ketë pasoja.
Por Vllaznia udhëton drejt Elbasanit me synimin e qartë për një fitore. Kjo do jetë hera e tretë brenda këtij sezoni që shkodranët do luajnë në “Elbasan Arena”. Në dy takimet paraardhëse kundër Partizanit dhe Teutës rezultatet kanë qenë identike, 1-1.
Kuqeblutë duan të thyejnë edhe “tersin” e barazimeve në këtë impiant. Patjetër që Dinamo nuk është një kundërshtar edhe aq i lehtë dhe gëzon respektin e të gjithëve, por të besuarit e Brdariç kanë si objektiv ti bëjnë një mbyllje sa më të mirë vitit. Dhe kjo fillon që në ndeshjen sonte kundër Dinamos.
Endri ÇINARI