“Njishi i klubit të Vllaznisë, një profil krejt tjetër dhe shumë më pozitiv se sa të tjerët në këtë sport. Xhaferi i fundit solli Kempesin po gënjeu shqiptarët, ky solli Josën dhe u tha njerëzve të vërtetën!

Xhaferi i fundit që kishte hyrë në futbollin shqiptar solli në Lushnje Mario Kempes, ish-Kampionin e Botës në Argjentinë. Përveç tij zbarkoi dhe një brazilian me mbiemri Edu. Ky i fundit golin e parë e shënoi në Selman Stërmasi në një Tirana-Lushnja të përfunduar me rezultatin 0-1. Stadiumi plot.

Xhaferi i sotëm quhet Alban dhe nuk ka ndërmend të sjellë në Shkodër asnjë ish-Kampion Bote. Jo vetëm se nuk i ka ato para që Xhaferi asokohe ia mori shqiptarëve duke i gënjyer por sepse as logjika se do ta bësh një gjë të tillë. Prandaj ishte e kuptueshme kur tha, Mirel Josa është i duhuri. Në fund të fundit më mirë një shqiptar i sprovuar se sa një ish-Kampion Bote që i ke parë vetëm golat në Youtube.

Kjo e këtyre 2-3 viteve është Vllaznia e Xhaferit. Ai erdhi me mosbesimin e zakonshëm të një ambjenti kuqeblu që për hir të së vërtetës duke qënë se kanë 21 vite pa titull kanë njëfarë të drejte mos të besojnë.

Shkodër, aty ku lindi futbolli. Në ndeshjen e fundit me rumunët ishin më shumë se 15 mijë tifozë. E duan futbollin. Xhaferin që të gjithë fillimisht e pyesnin ku i gjen lekët, është një stil rinor. Mjekër, beretë, gjuhë e thjeshtë dhe komode. Çoku merr vesh dhe nga menaxhimi dhe ka qejf marketingun.

Fanellat e bukura, sponsorët dhe online tickets. Stadiumin e ka të mirë, skuadrën e ndërton me kujdes. Ka dhe shkodranë brenda. Nuk duhet të jetë pa gjë. Dy Kupa Shqipërie, një titull i humbur me golavarazh dhe një Superkupë që pritet të luhet me Tiranën.

Në Europë sezonin e shkuar kaloi turin, këtë vit mori një barazim ndaj milionerëve rumunë. Xhaferi i sotëm, ky i Vllaznisë është ai i fotografisë që duhet ruajtur, jo ai i simites së Lushnjes që në fund i bëri njerëzit të hanin vetëm simite. Vllaznia e Xhaferit është një foto digitale njësoj si kompania që ai drejton. Suksese, njerëz të tillë paçim në këtë futbollin tonë të brishtë dhe pa shumë logjikë.