Alban Hoxha do vazhdojë të jetë lojtar i Partizanit. Burime të besueshme pranë lojtarit konfirmojnë për Newsport.al se cërrikasi do takohet me presidentin Gazmend Demi, për të rinovuar kontratën.

Të njëjtat burime tregojnë se do ndryshohen disa detaje nga kontrata e mëparshme, për të vazhduar me bashkëpunimin.

Kujtojmë se aktualisht Hoxha konsiderohet lojtar i lirë, pasi kontrata e tij ka përfunduar në fund të qershorit. Madje portieri mungoi në seancat e djeshme stërvitore, duke bërë të aludohet për një largim të mundshëm. Cërrikasi mesa duket ka vendosur të bëjë disa ditë pushime para se të kthehet në kampin e kuq.

Reparti i portës është mbipopullur që pas afrimit të Bekim Rexhepit. Tashmë janë 4 portierë që do tentojnë vendin e titullarit, duke pasur parasysh dhe Aldo Teqja dhe Vokli Laroshin. Titullar i padiskutueshëm gjatë viteve të fundit ka qenë Alban Hoxha.

Kulmin e karrierës e arriti sezonin 2014/15, kur vendosi rekord më 13 dhjetor 2014, duke mbajtur plot 1084 minuta portën e paprekur në Superiore.

34- vjeçari do mbushë plot 1 dekadë me fanellën e “demave”. Tifozët e kuq mbajnë mend kualifikimin historik që kapiteni i tyre u dha në Budapest të Hungarisë, ku Partizani u kualifikua përmes penalltive përballë Ferencvaros në turin e dytë të Champions League.

Partizani ka vendosur që brenda klubit të qëndrojë një figurë e rëndësishme, si ajo e kapitenit Hoxha./NEWSPORT/