Trajneri i njohur Ardi Behari, në emisionin “Skaner” në MCN TV, duke folur për barazimin e Vllaznisë ndaj rumunëve të Kraiovës, e quajti si një mbrëmje ndryshe të ekipeve shqiptare në Europë.

Behari deklaroi se trajneri Josa ndryshoi rrjedhën e ndeshjes në pjesën e dytë, me ndryshimet nga stoli, por edhe me ndryshimin e skemës. Gjithashtu, ai tha se Marku i dha frymëmarrje ekipit, ndërsa për tifozët u shpreh se ishin të shkëlqyer.

Poashtu, Behari u shpreh se manovra sulmuese e Vllaznisë ishte shumë e ngadaltë, ndërsa theksoi se Herald Marku, Ardit Hoxhaj dhe Kaina Nunesh, duhet të luajnë titullarë në ndeshjen e kthimit ndaj Kraiovës.

“Jo vetëm nga rezultati, por edhe nga atmosfera e krijuar në Shkodër, ishte një mbrëmje ndryshe e kësaj vere europiane për skuadrat shqiptare. Megjithatë, edhe nga ana e rezultatit, janë pozitive, në krahasim me skuadrat që kanë dalë nga gara. Ishte një mbrëmje pozitive dhe e shijuam.

Në minutat e para në ndeshjen e Vllaznisë, ishte një sfidë me kujdes nga të dyja skuadrat. Ishte kujdes pak më i tepruar nga sa duhej nga ana e Vllaznisë, kjo për faktin se manovra sulmuese ishte e ngadaltë dhe nuk po shkonte ashtu siç mund ta kishte përgatitur Josa. Nëse shikojmë, Kraiova ishte vendosur me një 4-4-2 të pastër dhe nxjerrja nga poshtë e topit, ka vështirësitë e saj sepse zonat janë të mbyllura.

Pjesa që bëri diferencën në këtë ndeshje, ishin ndryshimet e bëra në fillim të pjesës së dytë. Në mendimin tim, nuk ishte vetëm ndryshimi i futbollistëve, por edhe i sistemit të lojës. Kaluan në një 4-3-3 me kulm poshtë. Hapësira u krijuan më shumë se në pjesën e parë. Futja në lojë e Markut, i dha goxha frymëmarrje skuadrës. Liroi edhe mbrojtësit e krahut, për të ecur përpara.

Unë kam një kërkesë që Marku, Hoxhaj dhe Nunesh të luajnë titullarë në ndeshjen e kthimit të Vllaznisë ndaj Kraiovës të enjten në Rumani. Në tërësinë e ndeshjes së kaluar, ndeshja i kishte të dyja tablotë, për shkak të frikës dhe presionit të tifozëve. Ata ishin jo vetëm lojtari i 12-të për ekipin, por kanë qenë të shkëlqyer”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i njohur, Ardi Behari.
Maringlen ZHIVANI