Në Kategorinë Superiore kanë mbijetuar vetëm dy trajnerë të huaj pas 21 javësh kampionat.

Diego Longo i Kukësit është një italian i lindur në Xhenova dhe për herë të parë drejton një skuadër si numri një i stolit, pasi të gjithë ka qenë asistentë.

Te Vllaznia është për të dytin sezon radhazi gjermani Tomas Brdariç. Në fakt, kombësia e tij është kroate, por 47- vjeçari ka lindur në Nurtingen të Gjermanisë Perëndimore.

Ndërkohë, nëse shikon qytetet nga vijnë trajnerët aktualë të 8 ekipeve të tjera në elitë, dominojnë Tirana dhe Durrësi, me nga dy përfaqësues, pikërisht Mirel Josën dhe Dritan Mehmetin që drejtojnë aktualisht Laçin dhe Partizanin. Ndërsa interesant është fakti se Tiranën e drejton një durrsak si Orges Shehi.

Teuta ka në stol Renato Arapin, një tjetër durrsak që e mbylli karrierën duke fituar titullin kampion në vendlindje.

Dinamo i ka besuar ish-futbollistit të njohur gjirokastrit, Bledar Devolli, ndërsa Kastrioti guxoi me memaliotin Emiljano Çelën, sapo ky i fundit la futbollin.

Egnatian e drejton një shkupjan si Zekirija Ramadani, ndërsa Skënderbeun pogradecari Migen Memelli, i cili ka qenë pjesë e korçarëve edhe si futbollist.