Prej disa ditësh, Kombëtarja e Shqipërisë është grumbulluar për miqësoret me Spanjën dhe Gjeorgjinë. Trajneri Reja grumbulloi 26 lojtarë për Kombëtaren A, por ashtu siç edhe herët e tjera, asnjë lojtar të Vllaznisë.

Në fakt, në listën e më të mirëve të Shqipërisë nuk bën pjesë asnjë lojtar i Vllaznisë, teksa duhen vite e vite për t’u kthyer pas për të rikujtuar një lojtar të shkodranëve në ekipin e kombëtares.

Në vitin 2013, ish-mbrojtësi i Vllaznisë në atë periudhë, Tefik Osmani, sot drejtor sportiv tek Tirana, është lojtari i fundit i shkodranëve, i thirrur në grumbullim, por pa luajtur asnjë minutë. Ndërkohë, që lojtari i fundit i Vllaznisë, që edhe ka luajtur me Kombëtaren, është mbrojtësi Admir Teli, në vitin 2006.

Në fakt, është e çuditshme se si lihen në shtëpi lojtarë të Vllaznisë, që kanë shkëlqyer në Superiore periudhën e fundit. Pa paragjykuar askënd, shumë lojtarë grumbullohen, kur nuk janë në formë.

Për më tepër që, ndeshjet tani janë miqësore dhe është momenti për të parë ndonjë lojtar kuqeblu. Edhe pse janë vendime të stafit teknik, një veprim i tillë, duke mos grumbulluar asnjë lojtar të Vllaznisë, me vite e me vite, i pret këmbët çdo futbollisti tjetër të ri.

Kjo do të thotë se paçka se të rinjtë mund të shkëlqejnë me Vllazninë, në fund nuk mund të grumbullohen në Kombëtare. Me filozofinë e drejtuesve të Kombëtares, duhet të luash jashtë vendit që të marrësh një fanellë në miqësore, sepse për ndeshje zyrtare, dihet, duhet të jesh titullar në Angli, Spanjë apo Gjermani, megjithatë një gjë e tillë ndonjëherë nuk mjafton…
Maringlen ZHIVANI